E ardhmja e Kristjan Asllanit është në ajër. Më saktësisht, pas Botërorit të Klubeve do të mësohet nëse Kristian Kivu do e ketë në planet e tij mesfushorin e Kombëtares shqiptare apo jo te Interi, ndërsa interesimi nga skuadra të tjera nuk ka munguar.
Por sipas ekspertit të merkatos në Itali, Alfredo Pedulla, një nga skuadrat që përflitej se ishte më afër tij, në fakt nuk e ka në listat e saj Asllanin. Në ditët e kaluara u përfol shpesh se te Fiorentina e shohin me shumë interes mesfushorin kuqezi dhe Stefano Pioli e kishte kërkuar si përforcim gjatë verës.
“Që dje ju thamë se Asllani, talent i shkëlqyer i cili mund të largohet nga Interi, nuk është në listën e Fiorentinës. I njëjti diskutim vlen për Ismael Benaser i cili vlerësohet si përforcimi perfekt i dëshiruar nga Pioli”, tha eksperti i merkatos italiane, duke insistuar kësisoj se Asllani nuk hyn në planet e skuadrës së qytetit të Firences, për të hedhur më shumë hije dyshime rreth të ardhmes së mesfushorit.