Pas përballjeve zyrtare në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026, Kombëtarja shqiptare pritet të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajt në vijim – një në shtator, përpara ndeshjes ndaj Letonisë, dhe një tjetër në tetor, menjëherë pas sfidës së rëndësishme kundër Serbisë.
Burime pranë FSHF-së bëjnë me dije për gazetën se këto dy miqësore janë në fazën e negociatave, ndërsa si destinacion i mundshëm i të dyja përballjeve shihet Stadiumi “Air Albania” në Tiranë. Duke qenë se kombëtaret elitare europiane do të jenë të angazhuara në kompeticione zyrtare gjatë asaj periudhe, rivalët e përzgjedhur për këto miqësore pritet të jenë skuadra me profil më modest, të cilat janë të gatshme të zhvillojnë përballje pa shumë ngarkesë kompetitive.
Ndërkohë në muajin shtator, Shqipëria do të luajë ndeshjen e pestë në grupin kualifikues me Letoninë në shtëpi, më pas do të udhëtojë drejt Serbisë në muajin tetor. Ndërkaq, dy takimet e fundit janë me Andorrën jashtë fushe dhe Anglinë në Tiranë, sfida që do zhvillohen në muajin nëntor.





