Europiani i 21-vjeçarëve në Sllovaki ka qenë një turne i shkëlqyer. Disa prej yjeve më të mirë të rinj të futbollit kanë dhuruar spektakël, ndërsa finalja Angli-Gjermani është përballja e dy gjigandëve kontinentalë.
Këtë e konfirmon edhe formacioni më i kushtueshëm, me një skuadër të kombinuar mes dy finalisteve. Në skuadrën më të vlefshme ka edhe një shqiptar: bëhet fjalë për sulmuesin e krahut, Brajan Gruda, i cili vlerësohet në treg me 25 milionë euro.
Ai luan përkrah yllit tjetër të Gjermanisë, Nik Voltemade, vlera e të cilit përllogaritet në 30 milionë euro, ndërsa reparti ofensiv ideal plotësohet nga lojtari i Arsenalit, Ethan Nwaneri, që është futbollisti më i shtrenjtë i formacionit, me një vlerë prej 55 milionë eurosh.
“Tre Luanët” u paraqitën në këtë Europian si kampionë në fuqi të Evropës për 21-vjeçarë, por edhe si përfaqësuesja më e kushtueshme e eventit, me 402 milionë euro vlerë në merkato.
Kjo ka bërë që Anglia të ketë shtatë futbollistë në “Formacionin më të shtrenjtë” të finales, për një total prej 326 milionë eurosh. Pjesë e skuadrës është edhe ylli i Liverpool-it, Harvey Elliott, i cili synon të shpallet edhe Lojtari më i Mirë i Turneut.