Një debat është ndezur së fundmi mes dy personave që u bënë bashkë për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, bëhet fjalë për Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin që garuan nën logon e “Shqipëria Bëhet”.
Por, Lapaj duket se nuk është mjaftuar me koalicionin. Në studion e “Debat” me gazetaren Alba Alishani, Lapaj zbuloi se forca politike që ai drejton mund të shkrihet në një parti të vetme me partnerin e koalicionit parazgjedhor, “Nisma Thurje”.
“Partia Nisma Thurje është një parti me një anë. Ne jemi Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’, që është parti me një anë. Kemi bashkëpunuar për koalicionin parazgjedhor. Me përfundimin e këtij procesi do të rinegociojmë sesi do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë. Para zgjedhjeve ka pasur një qasje, që mund të ndodhë një kohezion edhe të shkrihemi në një. Ngelet për tu diskutuar. Unë jam i hapur për të gjitha variantet, ngelet për tu parë. Por mund të ndodhë. Ne e shohim të mirëseardhur çdo bashkim që sjell vlera dhe ne mendojmë që sjellim vlera”, deklaroi Lapaj.
Por, kjo deklaratë e kreut të Shqipëria Bëhet, Adratik Lapaj, duket se nuk bie dakort me parimet e aleatit të tij, Shabanit. Në një intervistë në A2CNN, Endri Shabani, pohon se kjo gjë nuk është diskutuar ende, por thotë se Adriatik Lapaj është i lirë të rikthehet te Nisma Thurje, aty ku dhe e ka nisur aktivitetin politik.
“Nisma Thurje ka qenë një organizatë e shoqërisë civile, që e kemi nisur bashkë me zotin Lapaj dhe aktorë të tjerë. Në 2021 ne u themeluam si parti dhe synojmë që të vijojmë si parti politike. Por, padyshim Adriatiku është i lirë në çdo kohë që të rikthehet te Nisma Thurje sepse në fund të fundit kjo është shtëpia e vet,”- deklaroi Shabani.