Në emisionin “Opinion” mbrëmjen e djeshme u fol për disa nga vrasjet më të çuditshme dhe se si u zgjidhën ato. Një prejt tyre ishte edhe vdekja e Kosta Trebickës, mesditën e 12 shtatorit 2008, një ngjarje që pati krijuar shumë aludime dhe diskutime në publik.
Pavarësisht hetimeve dhe rezultateve të nxjerra prej tij nga Prokuroria e Korçës, vdekja apo vrasja e Kosta Trebickës është rrethuar me mister dhe në rrethana shumë të dyshimta. Makina e tij u përmbys në rrugë të drejtë dhe trupi kishte mbetur vertikal në rrugë. Por për gazetarin Ferdinand Dervishi, rasti i tij është e vërtetuar që është aksident.
“Është e vërtetuar, sepse ai që do të vrasë nuk të lë të gjallë. Është e vërtetuar katërcipërisht që është një aksident automobislitik fatkeq ë u trash shumë”, tha Dervishi.
Ndërkohë gazetari tregoi se në vendin ku kishte bërë aksident Trebicka kishte ndaluar një furgon i Voskopojës. Qytetarët e kanë gjetur atë të gjallë, por që nuk fliste dot.
“Njerëzit që i takova, tre-katër vetë në Voskopojë, ka ardhur furgoni i parë i mëngjesit që ka ndaluar aty se pa një gjë, në rrugë. E kanë gjetur të gjallë, por që nuk fliste dot. Donte të fliste, por nuk fliste dot. Nga mbrapa veshit ku ishte bërë goditja, atë shtypjen makina, kishte një sasi të madhe gjaku që mbeti për një kohë të gjatë e mpiksur”, tha Dervishi.
Biznesmeni shqiptar me nënshtetësi amerikane ndërroi jetë në rrethana misterioze mesditën e 12 shtatorit 2008 në rrugën që lidhte Lekasin me Voskopojën. Kosta Trebicka ishte larguar nga Tirana një ditë më parë, kishte ndaluar në Elbasan dhe në mbrëmje vonë mbërriti në Voskopojë.
Trebicka u bë i njohur për publikun kur denoncoi në media aferën korruptive mes kompanisë AEY dhe MEICO-s për tregtinë e armëve. Denoncimi i tij mbi këtë aferë u bë në televizionin disa ditë pas shpërthimit të fabrikës së demontimit “Alba Demil” në Gërdec më 15 mars 2008. Aksidenti i tij konsiderohet një nga më të çuditshmit, ndaj shumë vetë besojnë se në fakt, atë mund ta kenë vrarë.