Prej disa vitesh, Shqipëria nuk është më “sekreti i fshehur” i Ballkanit – është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të dëshiruar për turistët që kërkojnë diçka ndryshe nga klishetë e pushimeve klasike. Nga brigjet e Jonit me nuanca smeraldi, tek fshatrat e thellë malorë ku koha duket se ndalet, vendi ynë ofron një përzierje unike të natyrës së egër, historisë antike dhe kulturës. Por turizmi është shumë më tepër sesa kartolina me pamje mahnitëse – është përvojë. Dhe përvoja matet me ndjesi, me detaje, me përballje të drejtpërdrejta me realitetin.
Çfarë thonë në të vërtetë turistët që e vizitojnë Shqipërinë? A i përmbush vendi ynë pritshmëritë që krijohen nga fotot në Instagram dhe artikujt entuziastë të blogerëve apo mediave më prestigjoze të botës? Apo hasin në kontraste që i bëjnë të ndihen të ndarë mes dashurisë për natyrën dhe zhgënjimit për shërbimet? Komentet e tyre janë si një pasqyrë – nganjëherë e admirimit të sinqertë, nganjëherë e kritikës së hidhur, por gjithmonë e vlefshme për të kuptuar sesi vendi shihet nga jashtë.
Ky shkrim ndalet pikërisht tek këto zëra: vështrimet, përjetimet, përplasjet kulturore dhe emocionet e atyre që zgjodhën ta jetojnë Shqipërinë jo vetëm si pushues, por si vëzhgues aktivë të një vendi që është ende në udhëtim për ta gjetur dhe përmirësuar vetveten. Ndaj për të rënë në kontakt me këta pushues, ZËRI ka ndjekur më vëmendje komentet e lëna në faqet e hotelerisë që operojnë në Shqipëri…dhe diçka bie në sy: nga ajo që përfytyrojnë tek ajo që gjejnë, ka një hendek të madh. Megjithatë, jo gjithmonë, ose të paktën jo kudo!
Nga vëzhgimi që i është bërë turistëve që pushuan në Vlorë deri më tani, duket se ka diçka të përbashkët: ofruesit e shërbimeve nuk janë njerëzit më “të ëmbël” me të cilët mund të merresh teksa shpenzon kursimet e tua. Dhe kjo gjë është vënë re më së shumti në Vlorë. Pra, sipas turistëve, në Vlorë, po humbet prekja “magjike” e shqiptarëve, ajo e bujarisë dhe mikpritja.
Ja çfarë shkruajnë disa turistë:
-Restoranti ishte pak zhgënjyes, cilësia e ushqimit që hëngrëm ishte shumë e mirë, por kamerieri nuk na lejoi të porosisnim pjata anësore që merrnim pjatën kryesore. Shumë e çuditshme, kështu që përfunduam vetëm me pulë në salcë. Si rezultat, nuk u kthyem më aty.
-Hoteli ishte pak më larg nga pjesa tjetër e restoranteve etj.
– Kondicioneri nuk funksiononte natën tonë të fundit dhe gruaja ime u sëmur nga ftohja, telefonoi stafin dhe nuk u ofrua ndihmë.
– Meqenëse hoteli synon klientë ndërkombëtarë, do të ishte mirë që i gjithë stafi që ka kontakt të drejtpërdrejtë me klientët të fliste anglisht.
– Stafi i dhomës së ngrënies nuk ishte miqësor ose i vëmendshëm. Një mëngjes kërkuam një omëletë të thatë për fëmijët tanë (ata nuk hanë vezë të buta/të lëngshme), dhe kamerierja u përgjigj me vrazhdësi. Ajo tha “çfarë ke? merrni ato që keni aty” dhe u largua. Në darkë, filetoja e peshkut u shërbye e ftohtë. Zakonisht i preferoj vaktet në stilin bufe, por në këtë rast cilësia mungonte.
– Mikpritja nuk ishte e shkëlqyer, pati probleme me parkimin, të cilat na morën 40 minuta për t’i zgjidhur kur sapo mbërritëm dhe po udhëtonim për 3 orë, stafi i pishinës rezervonte shtretër për njerëzit dhe i mbante në pritje për orë të tëra për persona që nuk ishin fare në pishinë. Faqja e internetit thoshte për organizimin e sporteve ujore, por kur mbërritëm, faqja e internetit u mbyll dhe na thanë se nuk kishte asnjë (i dërguam email dy herë për të pyetur) – mëngjesi nuk ishte i mirë.
– Muzika ishte shumë e lartë gjatë ditës në barin e pishinës dhe gjithashtu nuk kishte paralajmërime për festa çdo natë deri në orën 12 të mëngjesit, muzika në përgjithësi shumë e lartë dhe shqetësuese.
– Disavantazhi më i madh ishte se, edhe pse shumica e stafit ishin të sjellshëm, disa nga stafi “i vjetër” ishin mjaft të pasjellshëm. Gjithashtu, edhe pse pishina kishte një pastruese që ishte aty çdo mëngjes, ajo hidhte disa nga mbeturinat në një cep. Pra, kishte disa mbeturina në zonën e pishinës.
Edhe në Durrës vihet re pakënaqësia e turistëve me stafin, por duket se kanë edhe një problem tjetër: ndërtimet! Në shumë komente dhe “vlerësime” të dhëna, turistët nuk janë të turpshëm për t’u ankuar se me paratë që kanë paguar mendojnë se do të gjejnë qetësinë për të kaluar sa më mirë pushimet e tyre. Qetësi që duket se në Durrës nuk e kanë gjetur. Po ashtu, nuk kanë gjetur as higjenën, sidomos në tualetet e hoteleve që mesa duket anashkalohen nga punonjësit.
-Për shkak se është një hotel me 5 yje, kishte disa gjëra që nuk shkonin. Mungonte letër higjienike dhe letër duarsh, një nga lavamanët nuk funksiononte dhe tualeti ishte i ndyrë. Hoteli në përgjithësi është vërtet i bukur, por ndodhet në një zonë që nuk është aq e mirë sa hoteli. Gjithashtu në dhomën tonë, kishte 1 kapsulë për makinën e kafesë, dhe nuk morëm kurrë një të dytë. Morëm vetëm 2 peshqirë banjo mjaft të vegjël – gjë që duke pasur parasysh se është një hotel bregdetar dhe është 5 yje është pak e çuditshme.
– Kamerierët që shërbejnë në plazh ndonjëherë janë të shpërndarë dhe duhet t’u kujtosh porosinë disa herë. Stafi i pritjes duhet të buzëqeshë më shumë, dukeshin mjaft të shqetësuar.
-Plazhi nuk ishte i shkëlqyer (megjithëse punonjësi, Bacci, ishte i shkëlqyer!).. Kishte traktorë gjatë gjithë kohës, askush nuk guxonte të notonte. Pishina nuk ka vend për shezlongje, vetëm tavolina restoranti përreth.
– Jashtë sezonit, disa nga pajisjet nuk janë në përdorim. Plazhi mund të përmirësohej pasi pajisjet (dushet, dhoma e zhveshjes) ishin të prishura dhe kishte punime që po zhvilloheshin në zonën e pishinës. Zgjati për 3 ditë ndërsa ishim atje (kishte punime ndërtimi që po zhvilloheshin kudo në Durres gjithashtu!) për të cilat nuk ishim në dijeni.
– Kishte ndërtime që po zhvilloheshin gjatë qëndrimit tonë (duke u përpjekur të përgatisnin gjithçka për sezonin).
Krejt ndryshe është peizazhi në Korçë, Pogradec, Berat e Gjirokastër. Përveç problemeve të vogla teknike në dhomë, në këto qytete, turistët “ankohen” vetëm për atë që ka krijuar natyra, sidomos në Berat dhe Gjirokastër. Për disa është e vështirë që të ecin në terrenin e pjerrët, por shprehen se pamje dhe ato që i ofrojnë qytetet janë mëse mjaftueshëm për të kaluar mirë. Megjithatë, kanë ankesa, por kurrësesi nuk janë aq të shpeshta lidhur me stafin apo shërbimet sa në qytetet e tjera.
Ndërkohë që në Lezhë, kanë probleme me ujin dhe presionin e ujit. Për çdo gjë tjetër duket se largohen të kënaqur. Në Theth vazhdojnë të jenë të lumtur pavarësisht prishjeve masive, ndërkohë që në Shkodër shkojnë të painformuar se është “qyteti i haresë” dhe festat që zgjasin deri pas mesnate, nuk priten dhe aq mirë.
Por kush po vjen në Shqipëri?
Shifrat e qershorit tregojnë për një çoroditje të turizmit këtë fillimvere duke lëkundur për herë të parë seriozisht qëndrueshmërinë e tre viteve të fundit që sektori ka treguar në tërësi. Të dhënat tregojnë se polakët dhe spanjollët, dy grupe që po rriteshin në mënyrë të vazhdueshme nga viti në vit, kanë shënuar rënie. Shifrat e bëra me dije nga Instat, tregojnë se rënie ka shënuar edhe numri i turistëve nga Kosova. Në qershor edhe italianët që janë grupi më i madh pas Kosovës shënuan një tkurrje me 4 për qind diçka që nuk ishte vërejtur viteve të fundit qysh nga nisja e bumit turistik të shtetasve fqinje drejt vendit tonë. Pushuesit nga Kosova po zgjedhin gjithnjë e më shumë Greqinë, ndërkohë që italianët vendosen në Puglia.
“Duhet të jemi të qartë dhe të shpjegojmë se të ardhurat e familjeve italiane janë vazhdimisht në rënie dhe pushimet janë problem. Pra, ndërsa Shqipëria më parë ofronte një raport të përshtatshëm kosto-përfitim, ky kombinim nuk funksionon më. Rezervimet janë shumë më poshtë se gjysma e asaj që ishin tre vjet më parë. Agjencia jonë po ia del mbanë me ture të organizuara, nga Egjipti në Dubai e deri në Spanjë. Qarkullimi i përgjithshëm është rritur falë këtij specialiteti. Tendenca midis atyre që nuk udhëtojnë jashtë vendit është të qëndrojnë në Puglia, ndoshta duke përfituar nga fundjavat në vendpushimet bregdetare dhe duke qëndruar në hotele me mëngjes,”-shpjegon Michele Viola, pronare e operatorit turistik “Goodays”. Sipas të njëjtit burim, çmimet në Shqipëri janë rritur dhe kjo është dekurajuese për pushuesit italianë që gjithnjë e më shumë po braktistin edhe Kroacinë dhe Malin e Zi. Ndërkohë që Greqia vazhdon me të njëjtin ritëm…sepse mesa duket ka një ofertë për të gjitha buxhetet.
Teksa pritshmëritë ishin që turizmi të kishte një rritje rreth 15% këtë vit, shifrat zyrtare e kanë zbehur ketë optimizëm, madje operatorët turistikë presin që sezoni veror 2025 të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar. Rezervimet individuale për korrik-gusht janë më të ulëta se një vit më parë sidomos nga Vlora në Sarandë. E vetmja gjë që po “shpëton” shifrat e turizmit në Shqipëri janë “të ardhurit” e pranverës, ndërsa shumë pritet edhe nga turet kulturore të vjeshtës. Në janar-qershor në vendin tonë hynë 4.76 milionë të huaj me një rritje 4.8 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por sesa të huaj do të kalojnë pushimet në Shqipëri, do e mësojmë vetëm në tetor, pasi sezoni të jetë mbyllur. Megjithatë kritikat janë konkrete, hotelet luksoze dhe jo vetëm, duhet të punojnë me specializimin e stafit dhe shërbimin që iu bëhet klientëve. Bujaria dhe mikpritja janë ajo që pushuesit vijnë të gjejnë në Shqipëri…dhe nëse nuk ka më, do të kërkojnë det në një vend tjetër…ndoshta dhe më të lirë.
Turizmi nuk është vetëm numra – është reputacion, është reklamë e shpërndarë gojë më gojë, është përvoja që një vizitor merr me vete dhe e shpërndan më gjerë se çdo reklamë. Shqipëria ka ende çfarë të tregojë dhe të japë, por nëse dëshiron të konkurrojë seriozisht në tregun mesdhetar, nuk mund të mbështetet më vetëm tek natyra, moti dhe çmimet (që duket se nuk njohin tavan dhe vetëm rriten). Tashmë, loja është për standardin, për përkujdesjen dhe për ndjesinë që çdo i huaj të largohet me bindjen: Do kthehem sërish. Sepse në një botë ku zgjedhjet janë të pafundme, deti mund të jetë ngado – por përvoja e mirë, është ajo që bën diferencën./ZËRI





