Në një vend që prej vitesh mburret me bukuritë natyrore, plazhet mahnitëse dhe mikpritjen tradicionale, mungesa e turistëve këtë verë është bërë më e ndjeshme se kurrë. Edhe “reklama” që bëhet nga mediat e huaja nuk ka ndikuar që të mbushë shëtitoret boshe dhe çadrat e plazhit të papërdorura. Operatorët turistikë ngrenë alarmin, ndërsa ekspertët flasin me shifra duke u munduar që të gjejnë përgjigje se cilët janë faktorët që po ndikojnë në këtë rënie të ndjeshme të numrit të vizitorëve. Ose të paktën, të konsumit që pritet prej tyre. Çfarë po ndikon: çmimet e larta, konkurrenca rajonale apo mungesa e shërbimeve?
Sa shpenzojnë turistët në Shqipëri?
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe që i përkasin vitit 2023, një europian shpenzon mesatarisht rreth 91 euro kur udhëton në një shtet tjetër të Europës. Por në Shqipëri vijnë më “koprracët”. Italianët janë grupi i dytë më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri, pas Kosovës, me rreth 11% të totalit të hyrjeve, sipas të dhënave të INSTAT. Italianët etiketohen nga operatorët e tregut si më “koprracët”, që nuk shpenzojnë dhe bëjnë pazar për çdo gjë. Edhe të dhënat e Eurostat tregojnë se italianët janë më dorështrënguar se të tjerët në Evropë.
Ata shpenzojnë mesatarisht në udhëtimet e tyre 78 euro në natë, ose 14% më pak se mesatarja europiane. Pak a shumë në të njëjtin nivel janë edhe francezët (79 euro), spanjollët (75 euro) dhe holandezët (75 euro). Edhe polakët janë konstatuar nga operatorët në vend si turistë që nuk shpenzojnë shumë. Kështu që nuk ka sesi përjashtim të bëjë Shqipëria. Edhe nëse janë të shumtë në numër, sërish konsumi nuk është aty ku pritet, pasi turistët që tërheq Shqipëria shpenzojnë pak…sa më pak të munden.
Provat për turistët “dorështrënguar” i gjejmë edhe tek të dhënat e INSTAT. Shifrat tregojnë se rreth 85% e shtetasve të huaj që vijnë në vend nuk qëndrojnë në strukturat zyrtare të akomodimit. Pra, nëse në maj hynë në Shqipëri 705 mijë shtetas të huaj, nga të cilët vetëm 109 mijë qëndruan në strukturat akomoduese, si psh. hotele. Të tjerë kanë marrë shtëpi me qira apo apartamente me qera ditore që i lejojnë që edhe ushqimin ta konsumojnë në banesën e tyre. Rrjedhimisht, shpenzojnë më pak.
Vizitorët nga Polonia nuk preferojnë të dalin aspak nga paketat “all inclusive”, thotë Fatos Çerenishti, president i “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Premium” në një intervistë që ka dhënë pak kohë më parë për “Monitor”. Duke thënë kështu një tjetër sinjal se në Shqipëri po harxhohet pak.
“Polakët preferojnë paketa ‘all inclusive’ që përfshijnë gjithçka: akomodim, transport, ushqim, ture të ndryshme etj. Nuk kërkojnë asgjë që nuk kanë në paketë, qoftë edhe një pije më shumë,”- nënvizoi z. Çerenishti. Ndërsa italianët, ndoshta edhe më të familjarizuar me Shqipërinë nuk zgjedhin paketa “all inclusive”, por gjejnë shtëpi. Po sipas të njëjti burim, në Shqipëri një familje me 4 anëtarë shpenzon mesatarisht vetëm 1500-2000 euro në një javë. Ndryshe nga ne, në Greqi, sipas Eurostat, shpenzohen mesatarisht 1000 euro për person në javë.
Për mungesën e turistëve që e hapin portofolin e tyre pa menduar dy herë ka folur edhe kryeministri Edi Rama. Pak muaj më parë, në një intervistë për “The Guardian”, Rama foli për projektin e Sazanit, që do të ndërtohet nga Jared Kushner. E në intervistë, kreu i qeverisë duket se ka vënë re çfarë po ndodh në terren nga turistët me çanta dhe tani kërkon turistë që shpenzojnë.
“E pyeta Ramën nëse shqetësohej për ndonjë ndërlikim politik në lidhje me projektin e ri të pasurive të paluajtshme. Ai më tha se vendi i tij “nuk mund të përballojë të mos shfrytëzojë një dhuratë si Sazani”, duke shtuar: “Ne kemi nevojë për turizëm luksoz si një shkretëtirë që ka nevojë për ujë”. Nuk i frikësohet polemikave, veçanërisht “nëse ndihmon në tërheqjen e vëmendjes dhe sjelljen e investimeve”,”-shkruante në artikullin e tij gazetari që erdhi në Shqipëri.
Panorama është e qartë. Shqipëria ka turistë, nga ata që mbërrijnë, bëjnë fotografi, postojnë pamjet më të bukura në Instagram dhe pastaj zhduken pa lënë shumë gjurmë në arkën e bizneseve. Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, diskuton se pavarësisht fluksit të vizitorëve në Shqipëri gjatë gjithë vitit 2025, konsumimi nga turistët ka qëndruar i ulët dhe nuk po zëvendëson konsumatorët vendas.
“Ka shumë ‘selfie’, pak shpenzime … turistët e huaj nuk po zëvendësojnë dot shqiptarët e larguar … ‘Kjo kryesisht sepse turistët që kanë ardhur kanë shpenzuar pak. Kemi pasur të bëjmë me turistë të varfër, të paaftë për të shpenzuar,”- deklaroi Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Bujtinave.
Kështu, ekonomia shqiptare po mëson një të vërtetë të re: turizmi sjell frymë, por jo gjithmonë para. Ndërsa qeveria synon turizmin luksoz dhe investitorët me emra të mëdhenj, realiteti në terren mbetet ndryshe: çadrat janë bosh, menytë lexohen më shumë se porositen, marktet shesin, ndërsa operatorët turistikë mbeten të konfuzuar: Çfarë nuk shkon? Mesa duket turizmi “i lirë” po rezulton gjithnjë e më i kushtueshëm — për vendin. Recetën duket se e ka Greqia, por a na e huazon?





