Kreu i demokratëve, Sali Berisha reagoi sot pas publikimit të raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA, duke theksuar se Shqipëria është shndërruar në “parajsën e larjes së parave” nga kartelet dhe klanet më të rrezikshme në Europë.
“Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një paterni ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimorë, sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre”, tha Berisha.
Berisha rikujtoi se kompani të mëdha ndërkombëtare janë larguar nga Shqipëria gjatë këtyre viteve, duke përmendur shembuj si Shell, që shpenzoi mbi 1 miliard euro në kërkimin e naftës, si dhe projekte të tjera në real estate që kapnin mbi 1.5 miliard euro, por u zëvendësuan nga kartelet e drogës.
“PD do të vazhdojë misionin e saj të transparencës së plotë, pavarësisht avoketërve të narkoshtetit, pavarësisht çfarë pozicioni kanë dhe ku ndodhen, me bindjen e plotë se narkoshteti shqiptar është rrezik madhor për qytetarët shqiptarë, për qytetarët e rajonit, për BE-në dhe për partnerët tanë përtej Atlantikut”, përfundoi Berisha.





