Pastori Akil Pano ka bërë një reagim të ashpër ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët në seancën e djeshme plenare miratuan projektligjin për “Barazinë Gjinore”, i cili tashmë pas botimit në Fletoren Zyrtare merr formën totale të ligjit.
“Çmimi i tradhëtisë së 77 kartonave”, e nis mesazhin e tij Pastori, duke ju referuar 77 votave që mori projektligji nga deputetët e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër, ashtu siç kishte paralajmëruar.
Si do të dilni sot përpara babait dhe nënës, gruas dhe fëmijëve tuaj o të paudhë. Ju që me ngritjen e kartonit mohuat ata që ju rritën dhe dënuat ata që quani të ardhmen tuaj. Ofruat bijtë tuaj si olokaust në zjarr, mbi altarët e Baalit dhe Molekut në këmbim të pushtetit.
Sektarë të paditur, të kapur nga një botë instiktesh, të verbër që ndiqni qorrazi udhën e gjerë që ju çon në shkatërrim. Shitët shpirtin e kombit për 30 monedha argjendi pa menduar që ky është çmimi që i vendosët shpirtit tuaj”,përmbyllet reagimi i Akil Panos.
Kundërshtimet e opozitës në Kuvend dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare e shoqërisë civile u fokusuan tek terminologjia për identitetin gjinor, me pretendimet se përkufizimet e nismës binin ndesh me familjen dhe traditën shqiptare si dhe i hapnin rrugë sipas tyre, njohjes ligjore të komunitetit LGBTI+.





