Kreu i PD-së, Sali Berisha i ka quajtur aktivitet privat foltoren që Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti do të zhvillojnë në qytetin e Durrësit me demokratët.
“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në.
PD është parti me statut, me institucione, me forume. PD ka dhe do të ketë, ka filluar mbledhjen e forumeve, ka filluar debatin dhe do jetë debat i hapur për cilindo anëtar dhe drejtues. Çdo person tjetër që për qëllime private, personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse lidhje me foltoren e vitit 2021 që Berisha krijoi, kryedemokrati deklaroi se: “E bëra brenda strukturave, pasi kreu i strukturave kishte tradhtuar kauzën e mbarë demokratëve, e bëra për të shpëtuar PD nga kontrolli mafioz i Ramës dhe sorosianëve. Rama i kishte hapur dy procese Bashës.”





