Katër persona janë vënë në pranga nga policia e Tiranës, dhe 7 të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë, pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike, përpara kryeministrisë. Personat e arrestuar dyshohet se janë autorë të shpërthimeve me molotov, që u kryen menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha. Protetuesit tentuar gjithashtu që të kalonin kordonin e policisë, dhe të hynin në drejtim të godinës së kryeministrisë. Në mesin e personave të proceduar është edhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli.
“Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 11 shtetas. Arrestohen 4 prej tyre, procedohen penalisht 7 të tjerët.
Procedohet penalisht dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
Gjatë tubimit u dëmtuan 3 punonjës policie.
Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Policia njoftoi se si pasojë e hedhjes së molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga ana e protestuesve, janë dëmtuar tre efektivë. Pas shoqërimeve në komisariat, shkuan dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike, që kërkuan të sqarojnë mbi rrethanet se përse u shoqëruan protestuesit.
Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.
Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike, ndërkohë që edhe pse u paralajmëruar një përshkallëzim i protestës deri në grevë urie, një gjë e tillë nuk ndodhi mbrëmjen e djeshme.





