“Azilkërkuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar po keqtrajtohen”, kështu thotë Njësia Ligjore për Fëmijët e Migrantëve dhe Refugjatëve (MiCLU), e cila publikoi një raport ku evidentohen një sërë shqetësimesh mbi trajtimin e shqiptarëve në sistemin e emigracionit dhe azilit në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky raport është publikuar pas vetëvrasjes së një azilkërkuesi shqiptar në qendrën e akomodimit në Bibby Stockholm më 12 dhjetor dhe vdekjes në spital më 17 nëntor të një shqiptari tjetër të mbajtur në qendrën Brook House (IRC) pas një tentative për vetëvrasje.
Në raportin e saj, MiCLU paralajmëron se një qëndrim gjithnjë e më armiqësor ndaj kërkesave shqiptare për azil në Mbretërinë e Bashkuar po shkakton një rrezik serioz për shëndetin mendor dhe mirëqenien e azilkërkuesve.
Për më tepër, përvoja si shqiptar shpjegohet e ndryshme dhe më e vështirë në krahasim me kombësitë e tjera për shkak të mjedisit armiqësor me të cilin përballen.
Në raport thuhet se të gjitha këto kontribuojnë në ndjenjat e mungesës së shpresës mes komunitetit shqiptar.
Gjithashtu, theksohet se diskursi politik dhe media po rrisin nivelet e diskriminimit dhe racizmit tek ta.
Mungesa e përhapur e avokatëve të ndihmës ligjore për emigracionin është tjetër shqetësim.
Raporti përmbyllet duke bërë thirrje për një veprim urgjent për të siguruar mbështetjen e duhur për shëndetin mendor dhe për të parandaluar çdo vdekje të mëtejshme mes shqiptarëve në Britani.