Këtë të martë në GJKKO ka vijuar gjykimi i dosjes së Gërdecit, ku ish-ministri Fatmir Mediu është marrë i pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Mësohet se ish-ministrit i është rrëzuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me argumentin se ajo ka qenë gjyqtare e seancës paraprake dhe nuk mund të shqyrtojë edhe çështjen në themel.
Megjithatë, kërkesa e bërë më 24 shkurt u rrëzua sot nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, e cila argumentoi se kërkesa ishte në papajtueshmëri me afatet procedurale.
Ndërkohë, në seancën e sotme avokati Henrik Ligori kundërshtoi disa nga parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme. Sipas avokatit, sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan ato në kalibër të madh dhe kalibër të vogël: “Ministri i mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë. Nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat”, thotë ndër të tjera avokati.
“Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë: një pjesë politike dhe pjesa tjetër Shtabi i Përgjithshëm. Personat që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësitë e tyre. Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan në kalibër të madh dhe kalibër të vogël. Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë. Nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat, pasi me këtë punë merret Shtabi i Përgjithshëm. Si mund t’i ngarkohet një ministri politik përgjegjësi teknike? Sa i takon akuzës për transportin, nuk është detyra e ministrit, sepse ka struktura që merren me faturat. Duket se akuza e ngritur nga prokuroria është e pambështetur”, tha avokati.
Në nëntor 2025 ishte vetë gjyqtarja Gjoka që kërkoi të largohej nga gjykimi i kësaj çështje. Në kërkesën e saj, Gjoka pretendonte se nuk mundet të vijojë shqyrtimin e dosjes penale, pasi ka qenë gjyqtare e seancës paraprake. Por, kryetari i GJKKO-së, Erion Bani, e rrëzoi kërkesën e gjyqtares.
Ish-ministri i Mborjtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.





