Rama për CNN turk: Ja pse Samiti i ardhshëm i NATO-s në Shqipëri nuk u përfshi në deklaratën finale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për CNN Turk, ku ka folur për rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet Shqipëri–Turqi, situatën në Ballkan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimet në sektorin e turizmit.

Rama vlerësoi Samitin e NATO-s, duke theksuar se ai konfirmoi vendosmërinë e krahut evropian të aleancës për të përballuar sfidat e sigurisë.

“Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve,” u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar vlerësoi gjithashtu organizimin e samitit nga Turqia, duke theksuar se mikpritja dhe profesionalizmi i treguar lanë përshtypje pozitive tek të gjithë pjesëmarrësit.

Duke folur për raportin me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e cilësoi atë si një mik shumë të afërt dhe një partner strategjik për Shqipërinë.

Lajme të tjera |  Caktohet gjyqtari i çështjes së Erion Veliajt, për kërkesën e lirimit nga burgu

“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik,” deklaroi Rama.

Sipas tij, Erdogan është shumë i interesuar për zhvillimet në Ballkan dhe luan një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet në rajon.

Rama konfirmoi se Shqipëria pritet të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të NATO-s.

Ai shpjegoi se, edhe pse kjo nuk u përfshi në komunikatën përfundimtare, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka bërë të ditur se samiti do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa mbeten për t’u finalizuar vetëm çështjet e planifikimit.

Bashkëpunimi me Turqinë në industrinë e mbrojtjes

Kryeministri theksoi se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve është shumë i mirë dhe shprehu gatishmërinë që kompani të tjera turke të investojnë në industrinë shqiptare të mbrojtjes.

Lajme të tjera |  Përfundon seanca në GJKKO/ Shtyhet gjyqi Meta-Kryemadhi, gjykata cakton datën e radhës

“Do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të zhvillonin aktivitetet dhe produktet e tyre në Shqipëri,” tha ai.

Duke komentuar nismën për Platformën e Paqes në Ballkan, Rama nënvizoi se Presidenti Erdogan është shumë i angazhuar për rajonin.

Sipas tij, organizimi i samitit të liderëve në kuadër të kësaj platforme varet nga vendimmarrja e Presidentit turk.

Në intervistë, Rama foli edhe për debatet rreth projektit turistik në zonën e Zvernecit, duke theksuar se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar.

Ai tha se kritikat mjedisore janë të mirëpritura, por vendimmarrja do të mbështetet në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.

I pyetur për atletet e bardha që kanë tërhequr vëmendje në samitet ndërkombëtare, Rama u përgjigj me humor, duke thënë se ato janë shumë më komode se këpucët klasike, edhe pse ndonjëherë nevojiten të dyja.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us