Sot Konferenca e 9-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, pritet mbyllja e 3 kapitujve! Rama në Bruksel, Kos: Sot një ‘super e martë’

Sot, 14 korrik 2026, në Bruksel do të mbahet Konferenca e IX ndërqeveritare Shqipëri-BE. Delegacioni shqiptar drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i cili do të marrë pjesë në konferencën që, sipas axhendës zyrtare, nis në orën 19:00.

Pas përfundimit të konferencës, në orën 20:00, është parashikuar një konferencë për shtyp, ku përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Bashkimit Europian do të bëjnë një përmbledhje të rezultateve të takimit dhe do të ndalen te ecuria e negociatave për anëtarësim.

Në Konferencë pritet të bëhet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Kapitujt që priten të mbyllen:

-Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi Shkencor dhe

-Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura

-Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë

Ndërkohë, komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në këtë proces, duke theksuar se vendi është në rrugën e duhur dhe se gjatë kësaj konference do të mbyllë kapitujt e parë të negociatave.

Sipas saj, Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po regjistrojnë përparim të dukshëm në rrugën drejt integrimit evropian.

Lajme të tjera |  Rënia e konsumit në restorante arrin deri në 35%, “çunat” nuk konsumojnë nga frika e SPAK

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, shkroi Marta Kos në rrjetin social “X”.

Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.

Lajme të tjera |  Protestat në Shqipëri? Rama për "Euronews Serbia": Njerëzit protestojnë sepse jetojnë më mirë!

Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.

Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.

Më 17 nëntor 2025, Shqipëria çeli të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us