Kryeministri Edi Rama i është bashkuar në një bisedë të rinjve në kampin Rin Camp 2026. Në përgjigje të pyetjeve, Rama foli në lidhje me protestat dhe lajmet e rreme, që sipas tij, qarkullojnë në rrjetet sociale.
Algoritmi është një amplifikator i madh i pakënaqësisë dhe asaj që drejtohet nga e keqja. Kjo lidhet edhe me aspektin njerëzor, nuk është vetëm për ne kështu. Janë studime të bëra që thonë se çdo gjë që shkon drejt amplifikimit të energjisë negative, ka një shtrirje shumë më të thellë se e vërteta apo lajmi që ka brenda bujë. Unë nuk kam thënë se algoritmi ishte arsyeja e protestës.
Padiskutim që protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen e njerëzve dhe patjetër që ato duhen kuptuar dhe lexuar si duhet, por algoritmi ka impakt të madh në amplifikimin e zhurmës, negativitetit, që vijnë me video të manipuluara dhe lajme të rreme. Nuk diskutohet që çdo protestë ka brenda një mesazh dhe patjetër që detyra ime është të kuptoj sa më mirë mesazhin që mbart protesta, madje edhe më shumë se kaq.
Të kuptoj organizatorët, të kuptoj çfarë ka më shumë se ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve dhe forcave të organizuara në protestë. Forcat e përfshira që janë armiqësore dhe dashakeqe me Shqipërinë, nuk janë as ato organizatorët, por të gjitha këto së bashku ndikojnë. Është e rëndësishme sesi adresohet pjesa e drejtë e protestës.
Ti si një njeri i drejtë në protestë kthehesh në një vegël i forcave të tjera. Zvërneci sot është harruar, sepse shumë shpejt u kuptua se realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ajo që ishte perceptuar nga kanalet e dezinformimit. Nuk është realiteti se qeveria shiti atdheun. Realiteti është se aty ku qeveria ka përgjegjësi si administratore e pronës publike, jo vetëm qeveria nuk ka bërë shitje, por edhe tani jemi në negociata se duhet të jemi pjesë si pronarë në këtë sipërmarrje. Ndaj edhe akoma nuk kemi një marrëveshje”, tha Rama mes të tjerash.





