Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar këtë të premte nga dritarja e banesës ku ndodhet në “Arrest shtëpie”, kaosin e shkaktuar në Komisionin për Reformën Zgjedhore ditën e sotme. Sipas Berishës bashkëkryetari i këtij Komisioni nga radhët e opozitës Enkelejd Alibeaj, bashkëpunon me Ramën, ndërsa 50 deputetë të opozitës mbeten pa përfaqësuar. Po ashtu nuk munguan akuzat ndaj Qeverisë.
Sali Berisha: Përshëndetjet më të përzemërta. Edhe njëherë ju falënderoj dhe përulem me mirënjohje të pakufishme para jush, qëndresës, rezistencës tuaj në këtë betejë pa kthim kundër narkodiktaturës, regjimit të bandës, krimit, korrupsionit, që çdo ditë del në pah si një regjim pa ligje, moral, si një regjim grabitqar, shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Të dashur miq! Në rast se ndalemi në zhvillimet e 48 orëve të fundit, ato janë zhvillime tipike të një diktature pa ligje, pa moral, pa kushtetutë. Janë zhvillime të cilat përbëjnë një thirrje për çdo shqiptar, të ngrihemi për të marrë në duar fatin tonë dhe të vendit tonë. Shqipëria është sot delja e zezë e zgjedhjeve në Ballkan dhe Europë. Shqipëria është sot vendi ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Megjithatë ju e shihni në 48 orët e fundit, Edi Rama me peng bravën po bëjnë gjithçka për të bërë pseudoreformën me të cilën Edi Rama ëndërron të marrë mandatin e katërt në Shqipëri. Nuk ka figurë më të shëmtuar, më qesharake, por njëkohësisht edhe tragjike kur sheh se si, Edi Rama emëron opozitën e tij dhe cakton në krye të komisionit një Gjiknur bis, me mbiemër Alibasha, për ta servirur këtë si një reformë. Ndërkohë, 50 deputetë tuaj, përfaqësues të popullit opozitar përjashtohen dhe thirren të pranojnë bashkëkryetar, bashkëpunëtorin më të ngushtë të pengbravës, Alibashën. Kjo është një thirrje për çdo shqiptar që beson tek vota e lirë, që beson se duhet të votojë i lirë të ngrihet dhe të bashkohet me ne, në këtë betejë pa kthim. O sot o kurrë për votën e lirë.
Mbledhja e sotme e Komisionit për Reformën Zgjedhore dështoi, për shkak se deputetët e grupimit Berisha-Bardhi bllokuan sallën në Kryesinë e Kuvendit. Vendimi për bllokimin e kësaj mbledhje u mor nga grupi parlamentar që drejtohet nga Gazment Bardhi. Damian Gjiknuri dhe deputetët e tjerë socialistë pas debateve me Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin vendosën që të linin sallën e mbledhjeve. Vetë Enkelejd Alibeaj vendosi që të mos shkonte në sallë, për të shmangur përballjen me kolegët e tij opozitarë. Para mbledhjes, si bashkëkryetar, Enkelejd Alibeaj prezantoi dhe 4 propozimet e grupimit të Bashës për Zgjedhoren, që përfshinin listat e hapura, sistemin propocional kombëtar me një njësi, votimin e diasporës, dhe numërimin dhe votimin elektronik.