Ish-kryeministri Sali Berisha për herë të parë ka deklaruar se opozita e drejtuar prej tij, nuk donte të shkaktonte kaos në parlament, por sipas tij, ishte e detyruar ta bënte për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij të përditshme nga dritarja e shtëpisë, Berisha tha se falë këtij aksioni, opozita sot është “krejt tjetër”.
Deklarata e Berishës vjen në një kohë kur deputetët e opozitës duket se kanë hequr dorë nga tymueset dhe hedhja e karrigeve në parlament, duke protestuar vetëm me parrulla dhe zhurmues.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ju në studiot televizive dëgjonit çakejtë dhe lakejtë e qeverisë të cilët përpiqeshin të diabolizonin, të vinin në bankën e akuzës betejën pa kthim, epike të deputetëve të opozitës.
Deputetët e opozitës në sallën e parlamentit nuk donin të krijonin grumbullin e karrigeve, as dhe të përdornin tymues e zhurmues, por ato ishin thirrja e fuqishme, ishin klithëm e mosbindjes civile të tyre për të mbrojtur parimet e shenjta të kushtetuese të pluralizmit, për të ju mbrojtur ju dhe dinjitetin tuaj, të drejtat tuaja.
Ku jemi sot?
Sot në këtë betejë opozita është krejt tjetër.
Sot mbarë bota mësoi se Edi Rama i zhytur në afera të tmerrshme korruptive është i gatshëm të asgjësojë parlamentin për të mos u hetuar.





