I mbuluar me një këllëf jastëku dhe më pas i goditur me grusht në fytyrë dhe lënë anash në korridor, i shkelur me çizme, i mbajtur për disa minuta nga krahët dhe këmbët nga oficerët e policisë së burgut. Kështu u keqtrajtua një i burgosur në Reggio Emilia.
Më pas u zhvesh lakuriq dhe u ngrit, ende me kapuç në kokë, derisa u tërhoq zvarrë në qeli. Rrahja që pësoi një i burgosur 40-vjeçar tunizian më 3 prill në një korridor të një burgu italian, të institutit Reggio Emilia, dokumentohet nga videot e kamerave të brendshme, të cilat përfunduan në procesverbalet e hetimit, të marrë në dorë nga Prokuroria e Reggio Emilias kundër 10 oficerëve, ku tetë tashmë janë akuzuar për torturë. Videoja, të cilën ANSA e ka parë, tregon gati dhjetë minuta rrahje, që ndodhi në dy faza: rreth shtatë minuta rrahje në korridor, pastaj në derën e qelisë. “Pamje brutale, e egër dhe absolutisht joproporcionale me sjelljen e të burgosurit”, shkruante magjistrati hetues Luca Ramponi, i cili në korrik lëshoi një urdhër për ndalimin e punës për dhjetë të dyshuarit.






