Një ditë më parë socialistët u mblodhën në Asamblenë Kombëtare, ku kryetari i tyre, Edi Rama përveç vlerësimeve, nuk kurseu as kritikat.
Një prej kritikave i drejtohej ish-ministres Olta Xhaçka, e cila që kur është larguar nga kabineti qeveritar, ka lënë pas dore postimet në rrjetet sociale.
Nëse nuk e dinit, socialistët e kanë gati me detyrim të hedhin postime në rrjetet sociale, dhe nëse nuk janë të aftë të prodhojnë vetë material, duhet të shpërndajnë postimet e kryeministrit.
Rama ia vuri në dukje Xhaxhkës para kolegëve të saj se nuk ishte aktive në rrjetet sociale. E mesa duket presioni e bëri të vetën.
Pa kaluar 24 orë, Xhaçka është rikthyer për të postuar në Facebook. Ajo ka shpërndarë disa fotografi nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së ku shkruan “Ja ku jemi. Me Grupin Parlamentar të PS diskutuam për agjendën e javës dhe detyrat në vijim”.
Postimet dhe angazhimi në përgjithësi në rrjetet sociale i socialistëve pritet të ketë një intensifikim të madh këtë periudhë e në vazhdim deri në zgjedhjet e 2025-ës, periudhë të cilën ata e shohin si pjesë të fushatës zgjedhore.