Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për media ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka korruptuar ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal për të goditur atë personalisht por edhe Partinë Demokratike.
Basha tha se drejtësia amerikane e zbardhi të gjithë operacionin kriminal të Edi Ramës me Charles McGonigal dhe e dënoi këtë të fundit me 2 vite burg.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI-së për të sulmuar kryetarin e opozitës. Një histori e tillë nuk është dëgjuar as në vendet diktatoriale. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të korruptojë shefin e kundërzbulimit të partnerit dhe aleatit strategjik. Me qëllimin e vetëm që të godasë kreun e opozitës dhe Partinë Demokratike.
Kurrë nuk më shkonte në mendje se deri ku shkonte ky skenar. Se kryeministri i vendit tim do të kryente një operacion të tillë kriminal kundër kreut të opozitës dhe PD. Ka patur edhe nga ata që iu bashkuan Edi Ramës. I kam shpërfillur dhe mëshiruar, i qetë se PD dhe unë nuk ishim përfshirë në gjëra të paligjshme. Turpi është i tyre.