Deklaratat e kryeministit Albin Kurti për raportin e Kosovës, SHBA dhe Serbisë kanë ngjallur reagime të forta në Prishtinë. Kurti ka thënë se nuk pret që SHBA-të ta shohin Serbinë siç e sheh ai dhe ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre. Ai i bëri këto deklarata në një intervistë për “Public Square”, me ish-Ministri i Punëve, Ditmir Bushatin, teksa foli për marrëdhëniet me SHBA-të.
“Një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres që SHBA-të ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në lufte dhe i kam njohur gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqipatrëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet në veçanti”, tha Kurti.
“SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë”, tha Kurti.
Ndër të tjera, ai beson se Serbinë “e njeh më mirë”, dhe ndaj saj nuk mund ta ketë të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri, si Departamenti i Shtetit.
“Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë, marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, miqve dhe partnerëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë jemi identikë. Ambiciet e mia për Kosovën dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit, besoj që kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe”, tha Kurti.
Por këto deklarata të Kurtit kanë nxitur reagimet e kundërshtarëve të tij. I pari që reagoi ishte Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Përmes një postimi në Facebook, ai tha se Albin Kurti flet në emër të vetin e jo të Kosovës.
“Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash ‘mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj. Sytë e Amerikës kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë”, shkroi ai duke iu referuar ndërhyrjes së NATO-s, në Serbi në vitin 1999.
Reagim pati edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku. Përmes një postimi në Facebook, ajo është treguar e ashpër me kryeministrin Kurti, duke e quajtur “nihilist” e “cinik”.
“Po, Albin, Amerika nuk e sheh Serbinë me sytë e tu. E kuptueshme kjo, po me sytë e tu nuk e sheh as Kosovën, se në sytë e tu Kosova është shkatërru qe dy dekada, në sytë e Amerikës, Kosova është çliru, pavarësu, zhvillilu, ndërtu”, shkroi ajo.