Debate të forta në seancën maratonë në Kuvendin e Shqipërisë, ku po diskutohen një sërë ligjesh të rëndësishme por edhe amnistia penale, ngritja e komisioneve hetimore e të tjera.
Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist Erion Braçe ka drejtuar gishtin nga qeveria e atëhershme e demokratëve, duke i akuzuar se janë përgjegjës për dhënien e numrit më të madh të koncesioneve.
Braçe tha se 97% të koncesioneve në hidrocentrale i dha qeveria demokratike, ndërsa vetëm pak kohë para se të largohej nga pushteti, dha koncesionet e rëndësishme si ai i markimit, skanimit dhe pasaportave.
“Tre muaj përpara se këta të iknin nga pushteti, bënë koncesionin e kontrollit teknik të mjeteve, koncesioni i pullave, i markimit, i skanimit, dhe i pasaportave. Mund të ishin bërë publikë. A e kuptoni që ajo forma e koncesionit mund të quhet edhe sterilizim, depilim apo rruajtje quhet në shqip. I merr të gjitha dhe nuk lë asgjë. Mund ta bëjmë krahasimin me shitjet atëherë edhe tani.
Dëgjova këtu edhe ma kapi veshin, “ka ndonjë në burg nga këto”? Por ti e di shumë mirë mor burr, se ka dhe parashtim për korrupsionin, e kanë bërë juristët dhe ka që ç’ke me të. Para 6 muajsh nuk e bëje këtë pyetje”, deklaroi Braçe.
Ai gjithashtu vuri theksin te rëndësia e burimeve ujore në vend, duke thënë se ka nevojë për një studim mbi to.
“Ka ardhur koha që të mendojmë përtej hidrocentraleve, të mendojmë për ujë. Në kushtet e ndryshimit të klimës, uji do të jetë problem më i madh edhe për ne, siç është sot problem për Jugun e Italisë. Na duhet një studim për burimet ujore, dhe për sjelljen tonë me burimet ujore”, tha Braçe.





