Sali Berisha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se Shqipëria është një komb sipas tij në diktaturën e qeverisë së krimit, vjedhjes e drogës. Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha u shpreh se shqiptarët nënvlerësohen në vendin e tyre dhe detyrohen të braktisin vendlindjen dhe të emigrojnë.
Më tej Berisha u shpreh se dhjetëra të rinjve u është vrarë ëndrra universitare, pasi sipas tij tarifat e universiteteve janë të tretat më të larta në Europë, ndërsa të ardhurat e familjeve shqiptare janë më të ulëtat në Europë. Ai shton se Tirana është bërë qytet i ndaluar për rininë shqiptare nisur nga çmimet e larta të banesave dhe apartamenteve, kosto që sipas tij nuk i plotësojnë dot.
“Mirënjohjen më të pakufishme qëndrestare dhe qëndrestarë të vlerave të lirisë, dinjitetit dhe shpresës. Përshëndetjen më të përzemërt oratorëve fjalëzjarrtë që nga kjo platformë u përcjellin shqiptarëve në të katër anët e dheut të vërtetën e tyre të hidhur. Të vërtetën që përjetojnë ata dhe kombi nën diktaturën, tiraninë e krimit, vjedhjes, drogës dhe mashtrimeve. Miqtë e mi, sot i riu dhe e reja shqiptare janë për fatin më të keq të kombit tonë, njerëzit më të përçmuar, më të nënvlerësuar.
Janë njerëz pa fat në vendin e tyre dhe ata për shkak të një shpresëvrasësi që me politikat që ndjek ndaj tyre, politika kryekëput armiqësore, i detyron të emigrojnë, të largohen nga vendi njëlloj siç largohen bashkëmoshatarët e tyre nga Siria, që përjeton luftën civile. Miqtë e mi, për një të ri është e pamundur në qoftë se prindërit e tij janë të varfër, dhe sot në shumicë të tillë janë, të ndjekë universitetin sepse së pari si një satër mbi të ardhmen e tij e pret mesatarja që Edi Rama në një akt armiqësor e rrit për t’i përjashtuar nga universitetet. Për t’u vrarë ëndrrën e tyre universitare. Të tjerët i pret tarifa e tretë më e lartë në Europë, paçka se prindërit e tyre kanë të ardhurat më të ulëta në Europë.
Të tjerët i pret papunësia dhe çdo njëri prej tyre që ëndërron të ngrejë folën e jetës së tij në Tiranë, e ka të pamundur. Tirana është sot qyteti i ndaluar për rininë shqiptare me çmimet stratosferike të banesave, më të shtrenjta se në Bruksel, se në Holandë dhe se në shumicën e vendeve të BE, ato nuk mund të blihen nga të rinjtë shqiptarë. Ndaj dhe ata, pothuajse njëlloj si të rinjtë sirianë, largohen nga vendi i tyre me mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra në vit. Vetëm këto 10 vite, mbi 520 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Shqipëria renditet e dyta për largimin e adoleshentëve, e të miturve që marrin rrugët e botës”, tha ai.





