Kryeministri shqiptar Edi Rama ka nisur një betejë të dytë me mediat italiane, këtë herë me ‘La Repubblica’, që sipas tij ka devijuar bisedën që ai ka bërë në lidhje me ndërtimin e kampit të refugjatëve në Gjadër. Sipas medias italiane, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte akuzuar Italinë për burokraci, dhe kishte paralajmëruar një skadim të mundshëm të afateve për ndërtimin e kampit. Megjithatë gjatë ditës së sotme, në një reagim në X, Rama tha se ai ka përfunduar sërish në kënetën e medias italiane, dhe pretendon se në asnjë moment të bisedës së tij me gazetarët nuk ka përmendur çështjen dështim. Rama vijon më tej duke thënë, se edhe nëse do të kthehej pas ai do ta nënshkruante sërish marrëveshjen me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Pjesë nga shkrimi në median italiane:
“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”. Kështu u shpreh kryministri italian Edi Rama për mos hapjen në kohën e parashikuar të dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin. Në një intervistë për gazetarin e “La Repubblica”, Gerardo Greco, kreu i qeverisë shqiptare ia faturoi përgjegjësinë mos realizimin në kohë të këtij projekti qeverisë italiane.
Hapja e dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër ishte planifikuar më 20 maj, por u shty për shkak se punimet nuk kishin përfunduar.
Për kryeministrin Edi Rama problem do të jetë funksionimi i tij, pasi do të jetë shumë e vështirë për procedurat dhe menaxhimin e 3 mijë personave në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane.
“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i saj! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”.
Marrëveshja për emigrantët e Italisë me Shqipërinë u prit me kundërshti nga opozita e të dy vendeve.
30 deputetë të opozitës e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se marrëveshja Rama-Meloni shkel Kushtetutën, por që u hodh poshtë nga ky institucion.
Më 22 shkurt marrëveshja u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të zhurmshme dhe që zgjati vetëm 10 minuta me 77 vota pro. Votave të Partisë Socialiste iu bashkua edhe PDIU.
Ndërsa më herët më 15 shkurt, senati italian e miratoi projektligjin për ratifikimin e protokollit Itali-Shqipëri, për marrëveshjen e strehimit të emigrantëve, me 93 vota pro dhe 61 kundër.
Sipas marrëveshjes emigrantët do të zbarkojnë në portin e Shëngjinit dhe do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali. Investimi me vlere 653 milionë euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni firmosur në nëntor të vitit 2023.
Pjesë nga reagimi i Ramës:
Nuk ndryshova mendje. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundoja përsëri në kënetën e betejës politike italiane me fjalë që nuk i thashë kurrë.
Nëse do të kthehesha 100 herë pas, do ta bëja marrëveshjen për emigrantët me Italinë dhe me asnjë shtet tjetër. E kam thënë gjithmonë, është një gjë e re që do të duhet të përballet me provën e realitetit





