Deputeti Enkelejd Alibeaj tregoi arsyet që e nxitën të ndahej nga grupi i Sali Berishës dhe të distancohej nga Lulzim Basha, për të krijuar një grupim të ri politik në Kuvend.
Alibeaj e thotë qartë se distancimi ishte një akt politik për të qëndruar koherent ndaj qëndrimit të tij, se mes fatit personal të një individi (Sali Berishës), zgjodhi fatin e demokratëve.
Për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Alibeaj pati edhe një mesazh për të gjithë ata që dikur kishin dalë kundër Sali Berishës, por tashmë iu bashkuan pas marrjes së vulës.
Pa e përmendur me emër grupin e Bardhit, Alibeaj tha se qëndrimet nuk duhet të ndryshojnë sipas stinës, ndërsa thekson se deputetët nuk duhet të tundohen nga interesa egoiste për të ruajtur karrigen e deputetit në mënyrë parazitare.
“Duke filluar nga 9 shatori, e dinë të gjithë, qëndrimin politik i shumë deputetëve dhe i imi, ishte që mes një fati personal të një individi kujtdo qoftë dhe fatit të gjithë demokratëve duhej të prevalonte interesi i demokratëve, më saktë interesi shqiptar.
Distancimi është një akt politik dhe duhet të jetë i tillë në çfarëdolloj kohe. Pati një betejë, sagë me gjyq për vulë. Ajo që nuk duhet të ndryshojmë, është që qëndrimet nuk mundet të ndryshojnë sipas stinës, apo të tundohen nga interesa të vogla egoiste te deputetëve për të qenë ruajtës të një karrigie në mënyrë parazitare. Pasi përfundoi gjyqi, ku vula iu dha në mënyrë të padrejtë Berishës, do ishte një kat për të treguar koherencën në qëndrime.
Me një parti që ka problem të mëdha në raportet ne drejtësinë, e izoluar në raportet me ndërkombëtaret dhe së fundmi që s’ka guximin të përballë njerëzit e vet me publikun, listat e hapura, mua nuk më lidh asgjë. Janë gjëra që s’më bënin bashkë me atë lloj grupi”, tha Alibeaj në Report Tv.
I pyetur se çfarë e ndau nga Basha, Alibeaj thotë se qëndrimi i tij s’ka qenë i lidhur me asnjë individi, qoftë këtu Berisha apo Basha. Ai thekson se është larguar nga grupi privat i Sali Berishës, në ndryshim nga Basha që zgjodhi të qëndrojë aty.
“Qëndrimet mia dhe të disa kolegëve, psh Açka, Agalliu, s’kanë qen të lidhura me një individ, as me Berishën, as me Bashën, dhe askënd tjetër. Qëndrimet janë të tilla që qëndrojnë në disa vlera. Ne që ishim në PD u gjetëm si pjesë e grupit parlamentar të PD, pronë private e Berishës.
Është minimumi që çdokush të tregojë, se sa kohë që je distancuar me personazhin politik, distanca duhet të jetë si para vulës dhe pas vulës. Nuk jam larguar nga Basha, jam larguar nga ai grupim publik. Basha dhe të tjerë kanë bërë zgjedhjen e tyre për të qëndruar aty. Nuk është ky qëndrimi im. Jam ndarë nga grupi parlamentar i Sali Berishës”, u shpreh Alibeaj .





