77 forma të mosbindjes civile ‘prezantoi’ sot kryedemokrati Sali Berisha. Por duket se për aksionin opozitar nuk kanë dëgjuar gjë kryebashkiakët e opozitës. Sot, tre prej tyre shkuan në mbledhjen e kryeministrit Edi Rama. Të pranishëm në takimin ishin Albert Mëlyshi (Mirditë); Rrok Dodaj (Pukë); Fran Tuci (Fushë Arrëz). Madje morën edhe mikrofonin duke i bërë kërkesat e tyre kryeministrit Rama. Kryesisht kërkuan investime apo fonde për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.
KRYEBASHKIAKËT E PD:
Nga vëzhgimi që ka bërë ZËRI në mbledhjen e Ramës, i vetmi që mungoi nga kryebashkiakët demokratë ishte Fisnik Qosja i Kavajës. Ky i fundit, duket se është në korrent me vendimet e opozitës. Mbase mungesa e tij ka lidhje sepse Ervin Salianji, deputeti që tashmë po vuan dënimin në burgun e Fierit, ishte drejtuesi politik i Kavajës, duke i sjellë edhe fitoren demokratëve në qytet. Të tjerët, kanë zgjedhur që të shkojnë në takim. Këtë që nuk dihet nëse e kanë diskutuar me drejtuesit e Partisë Demokratike, por nga ajo që është bërë me dije nga opozita, bie ndesh me aksionin e Partisë Demokratike.