Monika Kryemadhi ka dalë në konferencë për shtyp nga Kuvendi, një ditë pas arrestimit të Ilir Metës dhe masës “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj saj me kërkesë të SPAK.
Kryemadhi e quajti dosjen e SPAK ndaj saj dhe ish bashkëshortit, një “farsë imorale”, duke shtuar se janë kërcënuar dhe intimiduar njerëz pranë saj për të dhënë dëshmi false. Ajo e konsideroi një goditje me urdhër politik.
Kryemadhi u ndal në disa nga pikat e hetimit, ku deklaroi se nuk ka bërë operacione plastike, por renditi disa ndërhyrje kirurgjikale të fëmijëve, të saj dhe të ish Presidentit.
“Ndihem shumë e fyer, që SPAK gënjen ku thotë 106 mijë euro kushtuan operacionet. 6 vjeç fëmija im është operuar dhe mjekët i kanë thënë se nuk jeton më nëse nuk kurohet. Ka bërë dhe Meta një operacion shëndetësor, që e kam paguar unë cash dhe nuk e di Ilir Meta sesa kushtuar. Ilir Meta nuk ka paguar asnjëherë në jetën e vet asnjë shishe ujë. Kam qenë dhe unë që kam marrë dhe rrogën e Metës në bankë.
Nxjerr SPAK faturën e heqjes së një lipoma të fëmijës tim. Nxjerr SPAK operacionin tim të qafës së mitrës dhe e quan operacione plastike për t’i dhënë ushqim mediave të Edi Ramës”, tha Kryemadhi.
Ajo kritikoi edhe mënyrën e ndalimit të Metës ditën e djeshme në autostradë.
“Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta i kanë arritur gjërat vetë, nuk kanë shitur trupin dhe asgjë”, tha Kryemadhi në mbyllje.
Kryemadhi tha se me Metën nuk ka komunikim prej shtatë muajsh, ndërsa shtoi se çështjet e tyre janë të ndara, por deklaroi se SPAK ka tentuar të thellojë mosmarrëveshjet mes tyre duke u përpjekur t’i faturojë Metës “gjëra për të cilat dyshohet ajo”.





