Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, është miratuar vendimi “Mbi caktimin e tarifave të transportit publik qytetas në bashkinë e Tiranës, mënyrën dhe rregullat që do të ndiqen për subvencionin dhe kompensimin e tyre”. Nisur nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, çmimi i biletave të transportit urban në kryeqytet nuk do të rriten, pasi Bashkia Tiranë do t’i subencionojë deri në 10 lekë për çdo biletë operatorët e transportit publik të kryeqytetit.
“Për biletën njëpërdorimshe për një udhëtim, për transportin publik qytetas në format letër me çmim të parashtypur, që aplikohet është 40 lekë, përfshirë TVSH. Bashkia Tiranë do të subvencionojë operatorët e transportit publik qytetas deri në 10 lekë për çdo biletë njëpërdorimshëm për një udhëtim, për transportin publik qytetas në format letër, sipas kushteve të përcaktuara”, citohet në vendim.
Gjithashtu janë përcaktuar kriteret të cilat duhet të plotësohen për të marrë subvencionimin nga bashkia. Ndërkohë, në lidhje me abonetë, pensionistët dhe studentët do të udhëtojnë falas.
Është miratuar që nga 1 janari 2025, operatorët do të kompensohen 100% në vlerën 1,600 lekë për abonetë falas të cilat do të shpërndahen për pensionistët dhe studentët.
Kriteret që një pensionist duhet të përmbushë për të marrë abone falas janë parashikuar që të jenë banues në Bashkinë e Tiranës, gratë pensioniste që kanë mbushur moshën 60 vjece dhe burrat pensionistë që kanë mbushur moshën 65 vjeç.





