Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka patur një debat të fortë mes kryetarit të “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori dhe kryetarit të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, lidhur me oligarkët dhe raportin që ata kanë me Edi Ramën.
Sipas Qorit, oligarkët sot e komandojnë Edi Ramën me fuqinë që ata kanë mbi ekonominë shqiptare. Ndërsa Shehaj mendon se asnjë oligark në Shqipëri nuk është mbi Edi Ramën dhe se ky i fundit mund t’i shkatërrojë ata kur të dojë.
Debati:
Agron Shehaj: Unë mendoj se oligarkët janë ortakë dhe vegla të Edi Ramës, totalisht ndryshe nga ç’mendon Qori. Qori mendon se Rama është nën kontrollin e oligarkëve, mendoj se kjo gjë është naive. Me sa duket duhet ta kesh me kapitalizmin, me kapitalistët që t’ju qepesh… Po them çfarë na ndan. Ne duhet të fitojmë besimin e qytetarëve dhe të tregojmë vizionin tonë, se si do ti bëjmë më të pasur, një jetë më të mirë, jo ti bëjmë pasanikë të gjithë. Do t’ju flasim për zgjidhje, jo të konstatojmë që pensionet janë të ulëta se këtë e dinë të gjithë, çështja është si do ti rrisim pensionet, shëndetësinë, nivelin e arsimit. Për çfarë do flasim ne, jo erdhi me makinë, jo erdhi me autobus… Të lëmë makinën në shtëpi ne tani?
Arlind Qori: Nuk e di pse zotërisë i ngeli mendja te autobusi që përdor unë, e përdor se më duket mjeti më i mirë për të udhëtuar, takoj edhe shumë njerëz, kuptoj shoqërinë, kuptoj transportin publik. Kështuqë nuk e kam fare problem. Zoti Shehaj i lejoi vetes një fjalë të rëndë, me tha mua naiv, që nuk kupton. Zakonisht unë këto gjëra edhe i studioj, i kam fushë studimi, do të doja ta kurseje këtë lloj epiteti.
Agron Shehaj: Sa naivë të ditur njoh unë Qori, se ke idenë. Kështuqë nuk do të thotë gjë që studion dhe nuk je naiv. Të gjithë ka raste që jemi naivë…
Arlind Qori: Ndryshe nga ti që ke zanat si të bësh lekë, unë kam zanat të studioj dhe oligarkinë e studioj.
Agron Shehaj: Ti e di shumë mirë në libra se si bëhet puna, por duhet të punosh njëherë pastaj të kuptosh, se teoria është shumë ndryshe nga realiteti. Po nuk i ke bërë ndonjëherë duart pis me punë normale që letra i ke të gjitha, mos më trego mua librat.
Arlind Qori: Studiuesi është punë, ti mendon se punë është vetëm që të kërcënosh punëtorët që të prodhojnë sa më shumë që ti të fitosh sa më shumë. Nuk është kjo puna, punë është kjo tjetra. The që oligarkët janë ortakë të Ramës dhe vegla të Ramës. Tani kjo nuk shkon. Ortakëria nënkupton një marrëdhënie të barabartë. Të jesh vegla e dikujt, do të thotë marrëdhënie të pabarabartë. Pra je komplet i paqartë për raportin mes oligarkëve dhe pushtetit. Ata janë ose vegla të Ramës, pra Rama është padroni dhe i përdor ata si masha, ose ortakë të Ramës, të barabartë dhe partnerë. Qasja ime është që në vitet e fundit…
Agron Shehaj: E ke nga librat dhe jo nga puna.
Arlind Qori: Janë koncepte zotëri, ortakëria nënkupton marrëdhënie të barabartë mes palëve.
Agron Shehaj: Ortakëria është të përdorësh, të mbështeten te njëri tjetri. Njëra nuk e kundërshton tjetrën.
Arlind Qori: Madje po të them një të tretë, që ti as e mendon dot, sepse në mos je oligark, ke një aspiratë për t’u bërë oligark. Edi Rama është i kapur nga oligarkët kryesore, sepse sot ai nuk ka fuqinë t’i kundërvihet kërkesave të oligarkëve për të marrë gjithnjë e më shumë. Edi Rama nuk ka fuqi ti thotë Samir Manes, Shefqet Kastratit, Bashkim Ulajt, Salillarit, nuk ta jap këtë tender apo koncesion. Ai është i gatshëm të rrezikojë pushtetin e tij, sepse nuk u thotë dot jo atyre. Njëlloj si marrëdhëniet e një politikani me organizatat kriminale.
Në momentin që ti futesh aty brenda, nuk del dot më jashtë, nuk je më padron i lojës. Sot oligarkët e kanë në dorë Ramën, prandaj them se Rama politikisht është i dobët, bën të fortin me njerëzit e thjeshtë por është i dobët.
Po të marr rastin e një drejtuesi politik diktatorial, por që ka autonomi ndaj oligarkëve dhe ky është Putini. Ai ka ushtri të madhe nga mbrapa, polici dhe shërbim sekret të madh nga mbrapa, ka një burokraci jashtëzakonisht të fuqishme nga mbrapa prandaj i bie tryezës me grusht dhe oligarkët i thonë gati-ktu! Ndërkohë Edi Rama është lakuriq përballë oligarkëve. Edi Rama është më shumë Yeltsin sesa Putin. Është një kukull nga pikëpamja ekonomike në duart e oligarkëve. Kush nuk e thotë këtë gjë, ka frikë nga e vërteta dhe ka frikë se mos prishet me padronët e vërtetë. Sot mund të flasësh kundër Edi Ramës në të gjithë televizionet, provo të flasësh kundër oligarkëve dhe ta shohësh del te Klan apo jo, del te Top Channel apo jo. Duhet të kemi guximin politik, jo vetëm ti denoncojmë por edhe të ndërmarrim aksion politik kundër tyre, siç kemi bërë me greva dhe protesta, duke u solidarizuar me punëtorët dhe minatorët. Me llogje pastaj…
Agron Shehaj: E them siqerisht, duhet të mos dish se si funksionon ekonomia, se si funksionon biznesi, se si fuqizohen sipërmarrësit dhe biznesmenët për të bërë këtë përshkrim që bëre ti. Ta them sinqerisht.
Arlind Qori: Ke studiuar për ekonomi zotërote? Për çfarë ke studiuar?
Agron Shehaj: Jam pothuajse 50 vjeç. Për ekonomi kam studiuar, në Firenze kam studiuar.
Arlind Qori: Bukur fort, çfarë thonë teoritë ekonomike?
Agron Shehaj: Të lutem tani, e kupton? Kjo është diferenca. Ti po më tregon haptazi që nuk e ke haberin fare se cfarë ndodh në Shqipëri.
Arlind Qori: Unë kam qenë në Bulqizë zotëri me minatorët, kam parë efektet e oligarkisë në terren. Ç’bëje zotërote kur minatorët ishin në grevë?
Agron Shehaj: Mirë ke bërë, por ti mendon se problemet e minatorëve zgjidhen duke vajtur te minatorët. Unë mendoj që problemet e minatorëve zgjidhjen duke u marë me ekonominë.
Arlind Qori: Duke luftuar dhe duke u organizuar, për të respektuar ligjin dhe të drejtat.
Agron Shehaj: Po të dije dhe të merrje vesh pak më shumë nga biznesi dhe ekonomia, nuk do të bëje këtë gabim kaq të rëndë, sa të thoshe që oligarkët, Kastrati, Samir Mane e me rradhë, komandojnë Edi Ramën. Të kam thënë që Edi Rama i zhduk brenda natës… Po ta them, nuk do shumë logjikë. Ti nuk e kupton, bizneset e oligarkëve varen totalisht nga qeveria. Tregtia është në dorë të qeverisë, ia mbyll rubinetin te doganat të nesërmen. Kjo ekonomi kapet nëpërmjet doganave, lejeve të ndërtimit dhe nëpërmjet kapjes së turizmit. Ai i mbyll brenda ditës. Si komandojnë Ramën ata?
Arlind Qori: Do mbyll miliarderin Rama? Atë që ka një apo dy miliardë euro pasuri? Atë që kontrollon televizionet, një ushtri të tërë me nëpunës dhe patronazhistë privatë?
Agron Shehaj: Dëgjo me vëmendje, se përveç teorisë edhe mund të kuptosh. Po të tregoj se si Rama nesër, vëri gishtin kujt të duash ti, i zhduk…
Arlind Qori: Po do të kishte zhdukur ty, po të ishte kaq e thjeshte, se ti nuk qenke as oligark… Do të të kishte zhdukur ty, pse nuk të zhduk ty?
Agron Shehaj: Pikërisht se unë nuk jam oligark.
Arlind Qori: Domethënë ti që paske qenë më i vogël se këta qenke më i sigurtë, ata që janë sipër teje paskan frikë nga Rama. Sa klasë shkollë ke bërë?
Agron Shehaj: Po bëhesh qesharak me këtë sa klasë sa klasë.
Arlind Qori: Mungon logjika këtu, ti thua unë jam trim, që jam poshtë oligarkëve, ata që janë sipër meje janë të trembur.
Agron Shehaj: Unë për klasat e shkollës flisja kur isha 20 dhe 25 vjec, tani jam 50. Ti vazhdo e fol për klasat e shkollës.
Arlind Qori: Jam kureshtar për të testuar logjikën.
Agron Shehaj: Se ti e shikon nga sa libra ke lexuar dhe sa klasë shkollë ke bërë.
Arlind Qori: Ti i paske alergji librat, me vjen keq… Merru me punë tjetër, se është vështirë të merresh me politikë dhe të kesh alergji librat.





