Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të dalë sot për disa orë nga qelia ku po qëndron, për t’u dërguar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Mësohet se Meta do të paraqitet në SPAK në orën 10:00. Ilir Meta do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet.
Nga 21 tetori 2024, ditën kur ai u arrestua në ish-sheshin “Shqiponja”, Meta ka lënë ambjentet e burgut vetëm për të shkuar në Gjykatë, por këtë herë ai do të paraqitet në SPAK. Vetë kreu i PL-së me anë të një reagimi në rrjetet sociale, u shpreh se do të paraqitet në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, por do të jetë ai që do t’i marrë në pyetje hetuesit.
“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Pa dyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruan ai.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e Policisë që i vunë prangat. Për eksponetët të Partisë së Lirisë, dhuna e Policisë ishte e pajustifikueshme, ndërsa për Policinë e Shtetit ishte e nevojshme pasi hasën në rezistencë nga Meta në momentin kur i komunikuan urdhër-arrestin e prerë nga GJKKO.
Kështu, Meta është vendosur në pranga që prej tetorit. Si Meta, edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut “313” në Tiranë. Edhe pse kishte mundësinë që të transferohej në burgun e Fierit, ku ka masa më të buta sigurie, Meta zgjodhi që të qëndronte në Tiranë për të pasur mundësinë që të takohej me familjarët dhe eksponentë të Partisë së Lirisë





