Pas 471 ditësh në robëri, tri pengje u liruan nga grupi militant palestinez Hamas, në ditën e parë të armëpushimit me Izraelin. Hamasi ra dakord të lironte tri gra në ditën e parë, ndërsa po sot filloi hyrja në Gazë nga Egjipti e një mori kamionësh me ndihma për palestinezët. Marrëveshja hyri në fuqi sot me një vonesë të minutës së fundit nga Hamasi që shtyu fillimin e armëpushimit me gati tre orë dhe theksoi brishtësinë e tij.
Tri pengjet e para që grupi palestinez Hamas liroi janë: Emily Damari, 28 vjeç, shtetase britaniko-izraelite, e rrëmbyer nga banesa e saj në lagjen ‘Kfar Aza’.
Doron Steinbrecher, 31 vjeç, e rrëmbyer në të njëjtën lagje si zonja Damari si dhe Romi Gonen, 24 vjeç, e rrëmbyer ndërsa merrte pjesë në një festival.
Katër gra të tjera pritet të lirohen në ditën e shtatë të marrëveshjes. Në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes, brenda gjashtë javësh, pritet të lirohen mbi 30 pengje në këmbim të dhjetëra palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.
Marrëveshja gjithashtu mundësoi futjen e kamionëve me ndihma në Rripin e Gazës. Kamionët me ndihmat që vlerësohen si tejet të nevojshme për palestinezët hynë në Gazë përmes kalimit Rafah, nga Egjipti.
Presidenti amerikan Joe Biden e përshëndeti lirimin e pengjeve dhe fillimin e marrëveshjes së armëpushimit.
“Marrëveshja që e kam prezantuar për herë të parë në majin e kaluar, më në fund ka hyrë në fuqi. Armëpushimi ka hyrë në fuqi në Gazë dhe po shohim lirimin e pengjeve. Tri gra izraelite u liruan sot, pas shtatë ditësh lirohen katër të tjera. Më pas, çdo shtatë ditë lirohen pengje përfshirë edhe dy shtetas amerikan”, deklaroi ai.
Biden u tha gazetarëve se ishte i kënaqur që ekipi i tij dhe ekipi i Presidentit të zgjedhur Trump folën me një zë në ditët e fundit të presidencës së tij, për të ndihmuar në finalizimin e armëpushimit të Gazës dhe marrëveshjes së pengjeve.
“Jam i kënaqur që ekipi ynë arriti të fliste si një zë i vetëm në ditët e fundit. Ishte edhe e nevojshme, edhe efektive dhe e paprecedentë, por suksesi do të kërkojë këmbëngulje dhe mbështetje të vazhdueshme për miqtë tanë në rajon dhe besimin në diplomaci. Tani i takon administratës së ardhshme të ndihmojë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Biden.
E diela shënon ditën e fundit të administratës së Bidenit, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump pritet të betohet ditën e nesërme.





