Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për të respektuar masën e vendosur ndaj saj, atë të detyrim paraqitje. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Kryemadhi u pyet nëse ngjante të njëjtin qëndrim me kryedemokratin Sali Berishën për SPAK. Ky i fundit ka premtuar se nëse do të vijë në pushtet, institucionin e Prokurorisë së Posaçme do ta shkrijë. E pyetur nga gazetarët nëse ndante të njëjtin qëndrim, Kryemadhi la të kuptohet se ishte “pro”.
“Që të jemi të sinqertë po të them tani që duhet shkrirë SPAK-u do të thonë e thot për shkak të problemeve të veta që ka. Mendoj që çdo instrument ligjor për të cilën ne kemi votuar që të kemi një drejtësi të barabartë për të gjithë jo selektive, normal që momenti që kthehet në një vegël shantazhimi dhe linçimi ndaj politikanëve sidomos ndaj opozitës sigurisht që e ka kryer misionin e saj dhe ka dështuar në gjithë misionin e vetë të vendosjes së drejtësisë. Sa i përket çështjes SPAK nuk është krijuar për të bërë luftë politike, por është krijuar për të luftuar strukturat organizative kriminale që kanë të bëjnë me trafikun e drogës me krimin e organizuar edhe me terrorizmin sepse një nga pikat kyçe në atë kohë ka qenë edhe çështja e terrorizmit. Megjithatë instrumenti që në zgjedhjet e 2021, OFL e famshme u krijua si një instrument për të shantazhuar grupet kriminale në mënyrë të tillë që ata të ishin në funksion 100% të qeverisjes dhe administrimit të votave,“-u shpreh Kryemadhi.





