Paulo Fonseka duket se po bëhet protagonist në çdo mënyrë të mundshme në këtë sezon. Trajneri portugez i cili u shkarkua për mungesë rezultatesh nga Milani, shkoi te Olimpik Lion në Francë, por edhe atje po bëhet protagonist jashtë fushës së lojës.
Gjatë ndeshjes së sotme te Lionit ndaj Brest, në minutën e 92-të me rezultatin 2-1 për ekipin e Lion, VAR-i ftoi gjyqtarin kryesor Benua Milo të shihte një prekje të mundshme të topit me dorë të një lojtari të Lion.
Para se gjyqtari të shkonte të shihte pamjet, Fonseka i ndëshkuar me të verdhë për protesta edhe në pjesën e parë, iu hakërrye atij duke marrë si përgjigje një karton të kuq. Në këtë moment trajneri portugez nuk u përmbajt dhe iu afrua shumë afër në fytyrë gjyqtarit, thuajse duke e goditur me kokë.
U desh që lojtarët e tij ta mbanin nga krahët dhe ta largonin nga fusha trajnerin e inatosur për të mos përshkallëzuar situatën. Ai pas ndeshjes kërkoi falje për këtë ngjarje, por në Francë janë të bindur se tani Fonsekën e pret një dënim shembullor që mund të shkojë deri në fund të sezonit.





