Njohës të zhvillimeve politike nuk presin që në Serbi të ketë ndërrim të pushtetit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit, por kanë mendime të ndryshme për mënyrën se si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.
Pushteti aktual, përkatësisht koalicioni rreth Partisë Përparimtare Serbe dhe Partisë Socialiste, e pranon Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë, e shkruar në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, ka qenë dhe do të jetë”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim parazgjedhor, më 5 nëntor. Edhe pse Vuçiq është tërhequr nga udhëheqja e Partisë Përparimtare Serbe në pranverë, ai është angazhuar në mënyrë aktive në fushatën e saj, e cila ka sloganin“Serbia nuk duhet të ndalet”.
Si qëndrojnë raportet Kosovë-Serbi?
Në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar. Me Marrëveshjen e Ohrit, të arritur në mars, Kosova është obliguar ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ta njohë de facto Kosovën.
Bashkësia ndërkombëtare e ka rritur trysninë mbi të dyja vendet që ta zbatojnë atë sa më parë që të jetë e mundur, nga frika për qëndrueshmërinë rajonale. Këtë javë, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, t’i vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian.
BE-ja, ndërkaq, kujtoi se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, e fajësojnë njëri-tjetrin për bllokimin e kësaj marrëveshjeje. Për herë të fundit, sy më sy, ata janë takuar në fund të tetorit.
Presion mbi Serbinë
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se ekzistojnë indikacione se Partia Përparimtare Serbe (SNS) – fushatës zgjedhore të së cilës i prin Vuçiq – do të fitojë rreth 40 për qind të votave më 17 dhjetor. Forcë e fuqishme politike parlamentare, sipas tij, pritet të jetë edhe lista “Serbia kundër dhunës”, e cila përfshin parti dhe lëvizje pro-evropiane.
Janjiq pret presion të shtuar mbi Beogradin për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, përkatësisht për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit. Për më tepër, shton ai, paralajmërimet nga Bashkimi Evropian sugjerojnë se kjo marrëveshje do të futet në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE – kapitull që përfshin marrëdhëniet e këtij shteti me Kosovën.
Një gjë të tillë e paralajmëroi edhe vetë Vuçiq më 8 dhjetor, kur tha se “Marrëveshja e Ohrit mund të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE”.
Në këtë kontekst, thotë Janjiq, Serbia do të duhet të raportojë përparim te BE-ja, e cila ndërmjetëson procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Janjiq nuk pret që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të ketë takime të nivelit politik, përveç bisedime për çështje teknike.
“… sepse Vuçiq i ka dorëzuar të gjitha [përmes Marrëveshjes së Ohrit]. Unë këtë e them me përgjegjësi. A i ka dorëzuar Kosova të gjitha? Kjo mbetet të merret vesh”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
“Unë pres që diku në fund të vitit [të ardhshëm] – nëse do të ketë stabilitet në Serbi – të ketë një konferencë të vogël, ku do të merrnin pjesë presidenti dhe kryeministri [i Serbisë dhe Kosovës], me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe organizimin e grupit të QUINT-it [SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë]. Përmes kësaj konference do të arrihet deri te marrëveshja përmbyllëse”, beson Janjiq.
Presion mbi Qeverinë e re serbe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën pret edhe Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad. “Ka premtime për para… pra, përmenden 6.3 miliardë euro si ndihmë për shtetet e rajonit, që janë për fazën e para-anëtarësimit [në BE]. Ato nuk janë mjete të pakta. Është thënë se nëse vendet nuk janë bashkëpunuese – dhe këtu është menduar për Serbinë dhe Kosovën – ato mjete do të shpërndahen dhe do të shkojnë te vendet bashkëpunuese”, thotë Popov.
Këto mjete janë “një lloj karote” nga Perëndimi për të stimuluar Serbinë dhe Kosovën që të jenë konstruktive në dialog, shton ai.
Zhargitje e qeverisë
Por, analisti politik në Kosovë, Agon Maliqi, pret që formimi i pushtetit në Serbi të zhargitet. Vuçiq e zvarrit formimin e qeverisë për të blerë kohë dhe për të negociuar me shtete perëndimore, për të shmangur presionin për dialogun…”
Ai pret që Partia Përparimtare Serbe ta fitojë numrin më të madh të votave, por thotë se Vuçiq do të përpiqet ta shtyjë formimin e Qeverisë, siç ka bërë edhe në të kaluarën, dhe në këtë mënyrë të ruajë edhe një lloj status quo-je me Kosovën.
“Në Serbi do të ketë përpjekje të vazhdueshme për të mos dhënë përgjigje [për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit] dhe për ta shtyrë këtë për një moment më të favorshëm gjeopolitik për Serbinë”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë. Ai u referohet zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA, në të cilat pritet të garojë edhe ish-presidenti Donald Trump, administrata e të cilit ka pasur qasje më mbështetëse për Serbinë.
“[Vuçiq] e zvarrit formimin e qeverisë për të blerë kohë dhe për të negociuar me shtete perëndimore, për të shmangur presionin për dialogun [me Kosovën]… Në çfarëdolloj skenari, Vuçiqin e shoh duke e përdorur rezultatin [e zgjedhjeve] si pjesë të raporteve të tij me Perëndimin”, thotë Maliqi.
“Në rast të ndonjë fitoreje të thellë – gjë që nuk përjashtohet – ndoshta do të përballet me një lloj presioni më të madh nga Perëndimi për të ecur përpara me zbatimin e marrëveshjeve [me Kosovën]”, thekson ai.
Cili është qëndrimi i koalicioneve tjera në Serbi për Kosovën?
Partitë pro-evropiane të koalicionit “Serbia kundër dhunës” nuk kanë qëndrim unik. “Nuk ka asnjë dilemë se çështja e Kosovës – sikurse edhe çështjet e tjera në shtetin e Serbisë – nuk mund të zgjidhet pa institucione demokratike”, tha Mirosllav Alleksiq, nga ky koalicion, më 29 nëntor.
Të gjitha partitë e së djathtës, ndërkaq, janë kundër Marrëveshjes së Ohrit, e cila, mes tjerash, parasheh respektimin e integritetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e simboleve shtetërore.
“Ne marrim obligim që, me formimin e Qeverisë së re të Republikës së Serbisë, ta refuzojmë planin franko-gjerman [Marrëveshjen e Ohrit], menjëherë dhe në tërësi”, tha Boshko Obradoviq, udhëheqës i lëvizjes së djathtë Dveri, më 29 nëntor.
Marrëveshjen e Ohrit e pranon lista “Serbia në Perëndim” dhe grupi “Duhet ndryshe” i Çedomir Jovanoviqit. Për 250 vendet e Parlamentit serb, më 17 dhjetor, do të garojnë 18 lista me më shumë se 2.800 kandidatë. Do të jenë këto të katërtat zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare prej se Partia Përparimtare Serbe ka marrë pushtetin më 2012.
Çfarë u tha në shtypin perëndimor?
Le Monde shkroi se zgjedhjet e 17 dhjetorit do të shërbejnë si referendum për Qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiq, e cila u sfidua nga të shtënat masive, protestat dhe tensionet me Kosovën. Pavarësisht një opozite të bashkuar, ka pak gjasa që Partia Përparimtare të humbasë më 17 dhjetor, falë “kapjes së mediave” nga Vuçiqi, shkroi Politico.
Partitë opozitare dhe mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut e akuzojnë Vuçiqin dhe Partinë Përparimtare Serbe për ngufatje të lirisë së medias, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar – edhe pse Vuçiq dhe aleatët e tij i mohojnë akuzat e tilla, sipas Reuters-it. E, në Deutsche Welle u shtrua pyetja: A është ndryshimi në horizont? /REL