Viti 2023, padyshim ka qenë një vit i mbushur me ngjarje dhe zhvillime të shumta në kronikën e zezë. Vrasje, atentate, hakmarrje, plagosje dhe shumë fjalë të tjera kyç, kanë mbizotëruar në titujtë e lajmeve për vitin që po lëmë pas. Shumë njërëz të implikuar në botën e krimit dhe biznesit, kanë rënë pre e ‘tritolit’ dhe ‘armës’, ose ka pasur dhe qytetarë të thjesht që kanë humbur jetën, vetëm sepse kanë qenë në kohën dhe në vendin e gabuar.
Ngjarja e parë kriminale ka ndodhur në Prizren, ku 3 të rinj nga Kuksi janë përplasur me Dibran Hoxhajn, i njohur si ‘Kobra’. Sherri ka nisur pasi të rinjtë nuk kanë pranuar që të paguanin faturën prej 400 eurosh që kishin konsumuar në lokalin e Dibran Hoxhajt. Pas përleshjes fizike, Hoxhaj ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj klientëve. Si pasojë e të shtënave, Visar Cengu ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij është plagosur.
Në mesnatën e 25 shkurtit është tronditur qyteza e Kuçovës, kur 54-vjeçari Krenar Brisku u fut në banesën e familjes Shushari për të vjedhur pula, e pikërisht në atë moment, i riu e kapi dhe e dhunoi duke i shkaktuar fraktura të rëndë në kokë dhe në trup. Edhe pse është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Beratit, e më pas është sjellë tek “Trauma” në Tiranë për mjekim më të specializuar, fatkeqësisht, Bicaku nuk i ka mbijetuar dot plagëve dhe ndërroi jetë më 4 mars 2023. Bjorni Shushari, vetëm 22 vjeç natën e ngjarjes ka qenë vetëm në shtëpi, pasi prindërit e tij nuk ndodheshin në banesë. Ai ka dëgjuar zhurmë, e ka dalë për të parë se çfarë do ndodhte, ku edhe pikasi hajdutin, të cilin e dhunoi për vdekje.
Masakra e vrasjeve në Shqipëri ka vazhduar në muajin Mars me Dan Hutrën. Mesditën e 1 marsit, Hutra shkoi në Astir për të eliminuar me thikë pa shkaktuar shumë zhurmë Marjana Gurakuqin të cilën e akuzonte se nuk i kishte kthyer një shumë parash. Falë disa klientëve që hynë në dyqan dhe reagimit të saj ajo mundi të shpëtojë me disa lëndime në dorë dhe në fytyrë. Fill pas kësaj ngjarje ai shkoi në Kodër Kamëz ku qëlloi ndaj familjes së ish-bashkëjetueses, duke lënë të plagosur ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj Kujtime Hysa 60 vjeçe dhe vrarë me armë zjarri Mevlute Hysan 30 vjeçe, motrën e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, të fejuarën e vëllait të ish-bashkëjetueses. Më pas ai shkoi në Kamëz dhe vrau motrën e kundërshtarit të tij në burg, Etleva Kurtin. Hurta pas kësaj masakre që kreu, u largua drejt Kombinatit, pasi kishte në shënjestër dhe një person të katërt për të eleminuar, por fatmirësisht u ndalua nga policia, pas disa orësh në arrati.
Një moment i trishtë që padyshim ka ngelur në memorien tonë në vitin që lam pas ka qenë dhe masakra e 12 Marsit në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. I vetmi ‘faj’ që kishte Paja ishte të punonte për dy punë për të ushqyer familjen e saj, pasi ndodheshin në gjendje të rëndë ekonomike. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.
Një tjetër sulm që ka tronditur fushën e medias, ka qenë padyshim sulmi ndaj televizionit Top Channel. Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate më 27 mars dhe viktimë mbeti roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç. Autorët iu afruan objektit të televizionit me një ‘Range Rover’ dhe qëlluan me dy kallshnikovë. Më pas, ata u larguan në drejtim të Kasharit, u futën në autostradën Tiranë-Durrës dhe morën rrugën për në Golem ku dhe dogjën makinën e përdorur në krim. Policia ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për informacione të vlefshme dhe si shpërblim ofron shumën prej 100 mijë eurosh.
“Pse më shikon“ dhe “Shko andej nga ke ardhur”, ky është motivi i vrasjes së dyfishtë që tronditi Kavajën në muajin Mars. Edmond (Armand) Gosa dhe Altin (Sali) Rexha u takuan në një lokal të qytetit për tu sqaruar lidhur me një sherr të ndodhur tre ditë më parë. Ata kishin shkuar ‘të përgatitur’ në takim, pasi i pari kishte marrë një thikë me vete, ndërsa tjetri një armë zjarri. Dyshja fillimisht janë konfrontuar verbalisht dhe fizikisht. Më pas, Gosa e ka qëlluar me thikë Rexhën, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke qëlluar tre herë me armë zjarri. Të dy u dërguan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ndërruan jetë.
Një tjetër ngjarje e rëndë ka qenë padyshim dhe vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor. Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.
Sherri mes familjeve Gosa dhe Rexha nuk është mbyllur në Mars me vrasjen e dy anëtarëve të familjeve. E gjitha pasi Gosa e shau për origjinën dhe i tha “malokët nuk kanë vend në Kavajë” dhe më pas nisi ta qëllonte me thikë edhe pse kishte të birin e mitur për dore. Rexha e qëlloi me armë zjarri, e si përfundim të dy ndërruan jetë në vend. Por situata nuk është qetësuar! Kur familja Gosa mendonte se hasmëria ishte mbyllur sepse të dy të përfshirët në ngjarje kishin vdekur, kishin harruar djalin e mitur. Familja Rexha e konsideronte edhe atë si një viktimë të mundshme, ndaj edhe Habib Rexha u kthye nga Gjermani për të marrë hakun dhe më pas u largua në drejtim të Kukësit.
Në Dukagjin të Shkodrës u ekzekutuan babë e bir Gjokë Gurra 57 vjeç dhe Eduard Gurra 31 vjeç, më 29 qershor me armë zjarri në fshatin Sumë. Babë e bir kishin shkuar të shikonin shtëpinë e tyre në fshat që u dogj qëllimisht mbrëmjen e së mërkurës, pasi vetë jetojnë në Shkodër. Ende pa mbërritur tek banesa e shkrumbuar disa persona i kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar me armë e zjarrit automatik kallashnikov duke i lënë të vdekur në vend brenda automjetit. Policia ka ngritur pistën konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa, duke qenë se 57-vjeçari në 2008-ën ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj.
Lezha është tronditur sërish nga vrasja e Nikolin Lekstakaj gjatë muajit Korrik. 42-vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi nga persona të paidentifikuar sapo doli nga një market. Autorët qëlluan nga një makinë në lëvizje dhe këtë e vërtetojnë edhe mbetjet e xhamave të thyer që makina me të cilën ata lëviznin la në vendngjarje. Hetuesit besojnë se ngjarja mund të jetë hakmarrje pas vrasjes së Ardian Nikulaj 3 muaj më parë. Fisi Lekstakaj ka qenë në një konflikt të hershëm që ka sjellë edhe viktima me fisin Nikulaj.
Në gusht një ngjarje e rëndë është shënuar në qendër të Vlorës. Armando Meshau, 55-vjeç ka qenë në një pikë interneti per te printuar dokumente dhe ka nisur të konfliktohet me një person tjetër që ka qënë dhe ai po në ambjentet e internetit. Debati më tej ka degjeneruar me grushta, ku shkaku ka qenë një banesë. Dhe sipas burimeve brenda pikës së internetit, 55-vjeçari ka debatuar me personin që ishte brenda duke e ofenduar dhe i ka thënë që: “S’ke për ta marrë apartamantin me fjalë banale”. Ndërkohë që ai e ka qëlluar dy herë me grushte në fytyrë dhe nga goditja ka rënë pa ndjenja duke humbur dhe jetën. 55-vjeçari me profesion inxhinier, vdiq nga goditjet me grushte të agresorit, teksa si pasojë e dhunës së rëndë nuk mundi të mbijetojë. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e një qendre interneti në lagjen “Hajro Çakërri” rreth orës 11:45.
Shtatori nisi me vrasjen e Martin Bardhit në Rrëshën. Ilir Bardhoku, Olti Gjini, Indrit Bardhi ndodheshin të 3 të ulur në një tavolinë me Martin (Marku) Bardhin, kur në drejtim të tyre u qëllua me breshëri automatiku. Nga të shtënat mbeti i vrarë 59-vjeçari Martin (Marku) Bardhin, i cili sipas të gjitha të dhënave ishte dhe objektiv i këtij atentati. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:40 në lokalin e viktimës që ndodhet në qendër të Rrëshenit. Sa i përket autorëve, ata dyshohet se ishin 2 persona të maskuar, të cilët lëviznin me një fuoristradë që u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.
Në nisje të muajit Tetor një attentat ka ndodhur në Dukagjin. Viktimë e atentatut ra Zef Guri, 73 vjeç dhe u plagos djali i tij, Gjin Guri 46 vjeç. Dyshohet se ngjarja është me prapavijë hakëmarrjen, pasi i plagosuri Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, atëherë 38-vjeçar, ai figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim pasi qëlloi me armë ndaj helikopterit të policisë gjate patrullimit për zbulimin e zonave me kanabis. Ai ishte i dënuar nga gjykata me 7 vite burg. Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij u vendos një sasi tritoli.
Fisi Nikulaj tronditet sërish në muajin dhjetor. Entjan Nikulaj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në aksin Milot-Lezhë mbrëmjen e 2 dhjetorit. 40-vjeçari është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, i cili u ekzekutua më 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin për gjakmarrje. Entjan Nikulaj u qëllua në hyrje të Lezhës teksa lëvizte me mjetin e tij fuoristradë, ndërsa 3 persona dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e tij.
Po në dhjetor u shkund Ministria e Drejtësisë dhe rrjeti i burgjeve të Sigurisë së Lartë. Sokol Mjacaj qëlloi me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi në burgun e Peqinit. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën. I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën. Për ngjarjen janë pezulluar dhe ndodhen nën hetim 12 persona mes tyre dhe drejtori i Burgut të Peqinit, ndërkohë që dyshohet se Mjacaj është paguar për vrasjen e Lleshit.