Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë një analizë të vitit që lamë pas për Policinë e Shtetit. Në konferencën me gazetarët, Balla listoi arritjet por edhe fushat ku do të duhet që të fokusohen më shumë në vitin që sapo ka hyrë. Sipas tij, lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor, ndaj edhe premtoi se goditjet e forta kundër grupeve kriminale do të vijojnë dhe do të intensifikohen. Për vitin që lamë pas, Balla theksoi se u shënuan 35 vrasje, një shifër rekord.
“Këtë vit u shënuan 35 vrasje deri më tani 2023 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e ketyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë.”
Shqetësim për Ballën është mosha mesatare e efektivëve të Policisë, e cila është 47 vjeç, por edhe inkriminimi i disa prej tyre me kontigjentë kriminalë. Luftë që sipas Ballës do të vijojë. Ndër të tjera në fjalën e tij ministri Balla tha se gjithashtu ka nisur edhe arkëtimi i të ardhurave që burojnë nga procesi i ndëshkimit të abuzuesve me ndërtimet pa leje.
“Për 9 objekte do të arkëtohen si të ardhura në buxhetin e shtetit 10.5 milionë Euro,”-shtoi Balla.
FJALA E PLOTË E MINISTRIT:
Lajmi më i bukur i vitit që mbyllëm nuk ishte vetëm shifra 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, por çertifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria publike gjatë vitit 2023, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik, me ZERO ngjarje kriminale të qëllimshme, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.
Policia Kufitare: janë rregjistruar në hyrje/dalje, 33 685 793 shtetas. Krahasuar me vitin 2022, janë përpunuar 5 255 075 shtetas më shumë; janë rregjistruar në hyrje/dalje, 9 123 127 automjete. Krahasuar me vitin 2022, janë përpunuar 892 419 automjete më shumë; janë goditur 87 raste të mosdeklarimit të të hollave, të cilat kanë rezultuar me sekuestrimin e rreth 2 634 944 eurove; janë goditur 58 raste të kontrabandës me mallra/produkte të ndyrshme në pikat e kalimit kufitar, 8 raste më shumë se gjatë vitit të shkuar; janë goditur 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 10 më shumë se vitin e shkuar; janë finalizuar 154 operacione për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Sezoni i ri turistik 2024 do të ketë Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera do duhet të garantojnë plazhe të lira dhe bregdet të pastër, nga Velipoja deri në Ksamil.
REZULTATET E IKMT
Ka filluar arkëtimi i të ardhurave që burojnë nga procesi i ndëshkimit të abuzuesve me ndërtimet pa leje ose jashtë lejeve të ndërtimit. Për 9 objekte do të arkëtohen si të ardhura në buxhetin e shtetit 10.5 milionë Euro.
SIGURIA RRUGORE
Investimet në infrastrukturën rrugore, përdorimi i teknologjisë në kontrollet e policisë rrugore ka sjellë një përmirësim tepër të madh të indikatorëve të sigurisë në rrugët e Shqipërisë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka në administrim 3600 km rrugë. Në 10 vitet e fundit numri makinave në pronësi të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar, nga 445.956 mjete në në vitin 2013, në 867.800 mjete në vitin 2023, ndërsa numri i aksidenteve është përgjysmuar nga 2075 në vitin 2013 në 1228 incidente rrugore në vitin 2023.
Por nuk është vetëm kjo.
Gjatë vitit 2023 kanë qarkulluar në rrugët e Shqipërisë edhe 2.74 milionë automjete me targa të huaja që kanë hyrë dhe kanë dalë gjatë gjithë vitit të kaluar. Pra rreth 3.6 milionë mjete në 3600 km rrugë kombëtare, një intensitet i paimagjinueshëm. Policia Rrugore: Gjatë vitit 2023 janë evidentuar 1228 aksidente rrugore me pasoja të rënda. Në këto aksidente rrugore evidentohen 191 të vrarë, 187 të plagosur rëndë. Janë vendosur 898,164 masa administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor (148.854 masa më shumë se në vitin). Janë arrestuar 2869 drejtues mjetesh, nga të cilët 1478, pasi kanë rezultuar se e drejtonin mjetin në gjendje të dehur/në efektin e lendëve narkotike dhe 1391, pasi drejtonin mjetin, pa leje drejtimi; Janë pezulluar 6806 leje drejtimi; Janë vendosur 898 425 masa administrative: 220 201 për mosrespektim të normave të shpejtësisë, 59 318 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 18 450 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 34 657 për përdorimin të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 75 375 për parakalime të gabuara dhe 490 424 masa per shkelje te tjera të Kodit Rrugor.
SIGURIA PUBLIKE NGA ZJARRI
Vera e zgjatur e vitit 2023 na ndihmoi shumë për turizmin, por na vendosi përballë një numri të frikshëm zjarresh. Kam ndjekur dhe do të vazhdoj të ndjek personalisht proceset gjyqësore në ngarkim të 101 shtetasve të arrestuar/proceduar penalisht për këtë fenomen barbar.
Dje i kam udhëzuar UNIFIKIMIN E VEPRIMTARISË SË INSPEKTIMIT TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN ME QËLLIM RRITJEN DHE GARANTIMIN E SIGURISË PUBLIKE NGA ZJARRI NË SHKALLË VENDI duke pasur në konsideratë faktin se ministri i Brendshëm ka në kompetencë orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të MZSH-së si dhe ka një ndërlidhje në ushtrimin e funksioneve në këtë fushë nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, strukturat e MZSH-së në bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në bashki.
Në kuadrin e bashkëpunimeve me partnerët tanë ndërkombëtarë pritet që flotës tonë të automjeteve zjarrfikës gjatë vitit 2024 tu shtohen edhe 11 automjete, pa llogaritur edhe automjete të tjera që mund të sigurohen nga donacionet që mund të sigurojnë njësitë e qeverisjes vendore.
POLICIA E SHTETIT
Prej ditës së parë si Ministër i Brendshëm kam kuptuar se suksesi në këtë detyrë publike është i pamundur pa krijimin e një fryme skuadre në përpjekjen për të përmbushur objektivat në këtë sektor sfidues. Kam shtërnguar duart me një pjesë të madhe të efektivëve dhe do të vijoj të takohem e dëgjoj me vëmendje çdo anëtar të trupës së Policisë. Po përgatisim ndryshime rrënjësore në Ligjin për Policinë e Shtetit, jemi në fazën finale, para miratimit në Qeveri, për ta dinamizuar dhe energjizuar trupën drejtuese të Policisë dhe përmirësuar karrierën. Akademia e Sigurisë, është tashmë një Institucion i Arsimit të Lartë. Gjatë vitit 2023, janë pranuar në Akademinë e Sigurisë, për “Patrullë e përgjithshme”, 607 vajza dhe djem, ndërsa në Fakultetin për Hetimin e Krimit janë pranuar 41 ekselentë dhe 246 për studimet “Bachelor”. Gjatë vitit 2024, do të pranohen edhe 400 kursantë për “Patrullë e përgjithshme”, 100 ekselentë dhe 29 për funksione të veçanta. Gjithashtu, në shtator, nëpërmjet Maturës Shtetërore, synpjmë të pranpjmë 150 maturantë, për studimet “Bachelor”. Synimi im është që të zgjidhim plotësisht nevojat për burime njerëzore në Policinë e Shtetit brenda vitit 2025, për të synuar më pas edhe një rritje të numrit total të Policisë së Shtetit.
AKTUALISHT POLICIA E SHTETIT PËRBËHET NGA:
Forca aktuale e Policisë (burra dhe gra) është 9592 anëtarë, nga të cilët 991 vajza/gra dhe 8601 burra, pa llogaritur punonjësit civilë të Policisë së Shtetit. Mosha mesatare është 47 vjeç. (Aktualisht, janë në punë 10 777 punonjës civilë dhe ushtarakë, prej të cilëve 1630 gra/vajza dhe 9147 burra.) Rezultatet e arritura gjatë muajve të fundit janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Në territorin e kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë.
Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e jursidiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash.
Gjatë vitit 2023: Janë finalizuar 1195 operacione policore, 62 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë; Janë ndaluar 7845 shtetas, autorë të dyshuar krimesh të ndryshme; Janë goditur 47 grupe kriminale, kryesisht për: kultivim, prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike, për kryerjen e ngjarjeve kriminale dhe për vjedhje.
VRASJET
Kemi patur një rënie të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 35 deri më tani 2023 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e ketyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë. I kam kërkuar drejtorive vendore të policisë dorë të hekurt kundër dhunës më bazë gjinore dhe mbrojtje e mbështetje për viktimat e dhunës. Janë evidentuar 4698 raste të dhunës në familje, me 2030 autorë të identifikuar. 783 prej tyre janë ndaluar, ndërsa 1247 të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 2730 kërkesëpadi për urdhra mbrojtjeje/urdhra mbrojtjeje të menjëhershme në favor të të dëmtuarve nga kjo vepër penale.
PARANDALIMI
Duke u rikthyer tek lufta kundër krimit, gjatë vitit 2023 është rritur zbulueshmëria dhe forca parandaluese. Janë parandaluar nga Policia e Shtetit 67 ngjarje të rënda kriminale dhe kjo duhet të sfida e re e punës së përditshme të policisë. Janë zbardhur 488 vjedhje. Indeksi Europian mbi Kriminalitetin dhe Sigurinë Publike e përcakton tashmë Shqipërinë si një vend me indikator sigurie më të lartë sesa fqinjë tanët të cilët janë anëtarë të Bashkimit Europian. Lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton cdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta.
Deri në këtë moment falë Operacionit Kombëtar “TEMPULLI” janë goditur 24 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 530 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Operacioni Kombëtar “SUNDIMI I LIGJIT” po jep gjithashtu rezultate të kënaqshme duke goditur 19 grupe kriminale dhe cuar para drejtësisë 357 shtetas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar. Këtu përfshihen grupe kriminale të përfshira në organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, trafik armësh, për mashtrim, kontrabandë dhe krime të tjera ekonomike.
Gjatë vitit 2023 janë sekuestruar: 797 armë (401 armë zjarri, 148 armë gjahu dhe 148 armë sportive); 8 mina me telekomandë, rreth 300.4 kilogramë lëndë plasëse, 119 granata dhe municion luftarak.
KULTIVIMI I LËNDËVE NARKOTIKE
Në vijim të pastrimit të alpeve dhe zonave të tjera në të gjithë territorin, gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve. Janë kryer 171 operacione policore, janë goditur 335 raste të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, janë asgjësuar 293 047 bimë narkotike cannabis sativa, me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë. Janë sekuestruar gjatë vitit 2023: 4 tonë cannabis sativa; 62 kilogramë heroinë, 23 kilogramë kokainë dhe 11 300 tableta ekstazi;
KRIMI EKONOMIK
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare gjatë vitit 2023 janë evidentuar: 3395 raste të veprave penale, me 4017 autorë të identifikuar, nga të cilët 815 janë ndaluar, ndërsa të tjerët janë proceduar penalisht. Gjithashtu, janë goditur 5 grupe kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, ndërsa në fushën e krimeve kompjuterike janë goditur 2 grupe kriminale. Janë goditur 409 raste të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë, mallrave të konsumit, ilaçeve, veshjeve, orave dhe sendeve të tjera me vlerë ose të celularëve. Nga automjetet/motomjetet qe iu janë konfiskuar grupeve kriminale, Policia e Shtetit gjatë 2 viteve të fundit, ka përfituar 47 automjete dhe motomjete me karakteristika të ndryshme (të blinduara dhe me kalueshmëri të lartë), të cilat i kanë kaluar DPPSh-së, me kosto financiare zero nga buxheti i PSh-së.
Po punojmë për përmirësimin e Ligjit Antimafia dhe të Ligjit për administrimin e pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara.
PERSONAT NË KËRKIM / VEPRAT KRIMINALE PA AUTOR
Kemi ngritur bashkëpunimin me INTERPOL në një nivel tjetër. Janë janë arrestruar me qëllim esktradimin në vendin tone – 139 shtetas, nga të cilët 78 persona u ekstraduan në Shqipëri. Vlen të theksojmë faktin se për herë të parë kemi ekstradim nga vende me të cilat skemi marrëveshje esktradimi, sic ishte rasti i 31 dhjetorit me shtetasin Ruben Saraiva, i dyshuar për një krim të rëndë. Ngjarjet e rënda pa autor mbetën një sfidë e hapur për Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë. Falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, edhe hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është një detyrë prioritare për policinë dhe prokurorinë. Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit. Kush nuk është dakord me urdhërin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin, por në rrugën tonë “të të bërit shtet”, na duhet të vendosim një standard të ri në autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit. As Ligji, as publiku nuk mund të pranojnë më shtyrje, fyerje, kërcënime, kanosje, dhunë dhe rrezikim të jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, duhet vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë kundër Shtetit. Një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal dhe do të përforcohen në Kodin e ri Penal, si dhe në ligjin për Policinë Shtetit. Rritja e standartit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie si dhe të Gardës së Republikës, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja. Prandaj falë mbështëtjes së Kryeministrit, e bëmë fakt dhe kemi tashmë 92 punonjës policie të cilët janë shpallur përfitues po hynë më në fund banesën e tyre. Shpresoj të kemi të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024 dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit.
Buxheti 2024 na ka dhënë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit duke filluar nga 1 Korriku 2024. I dhamë më në fund një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie. Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me PROCESIN E VETËPASTRIMIT, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.
Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse: 367 punonjës policie të arrestuar/proceduar deri më tani. Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë. Ky proces i cili sapo ka hyrë në një fazë të re do t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Polici më të fortë dhe një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit.
———————
Lidhur me shërbimet e tjera që lidhen më Ministrinë e Brendshme dua t’i ripërsëris thirrjen bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit. Shërbimi elektronik “Deklarimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” ju mundëson shtetasve shqiptarë të cilët janë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të kryejnë vetëdeklarimin e adresës së banimit me të dhënat e sakta në shtetin ku ata jetojnë. Formulari i vetëdeklarimit elektronik mund të plotësohet nga shtetasit për deklarimin e adresës së tyre personale, ose dhe për anëtarët e të njëjtës familje, në rastin kur ata jetojnë në të njëjtin vendbanim me deklaruesin