TIRANË– Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka treguar këtë të enjte dhe mënyrën se si ai mendon të mundë Kryeministrin Edi Rama në zgjedhje. Gjatë fjalës së tij në konferencën me gazetarët, Basha tha se plani i PD-së do të mbështetet në tre kolona, transparencë, përgjegjësi dhe alternativë, të treja sipas tij të shkelura nga Edi Rama.
Lulzim Basha: Të bësh opozitë do të thotë të bësh maksimumin, të mbash përgjegjësi për ata që kanë dëmtuar shtetin. Opozitë nuk është ai që bërtet më fortë, por ai që paraqet alernativa, jo ai që shkel ligjin. U pengua buxheti? Jo. U penguan ligjet e tjera? Çfarë ndodhi? Buxheti më i lartë në Shqipëri kaloi për shtatë minuta. Padiskutim, përballë nuk kemi një qeverisje normale. Unë e kuptoj shumë mirë me taktikat për të shmangur transparencën, përgjegjësinë dhe alternativat. Nuk ka më kohë, për të shmangur këto tre kolona. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të parë më shfaqje, ku i vetmi që ka përfituar është Edi Rama. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka, që Edi Rama në vend që të fshihet pas alibive, por qeveria e tij të paguajë për atë çfarë ka bërë.