Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë mbledhjes me kryetarët e degëve tha se zgjedhjet e 11 majit kanë rëndësi unike pasi për herë të parë do të votojë dhe diaspora. Berisha tha se vota e emigrantëve do të jetë ajo që do të ndikojë fuqishëm në fitoren e PD-së. Më tej, ai iu kërkoi drejtuesve të qarqeve që të krijojnë një grafik emergjente ku të identifikohen emigrantët që do të marrin pjesë në votim.
“Tani edhe zgjedhjet i kemi me dy koka ne. Kjo është historia jonë. Por kjo është një arritje e madhe sepse gjysma e shqiptarëve do ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit në një kohë që nuk e ushtronin dhe kjo nuk ndodhte me asnjë komb tjetër veçse me ne. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha që ky proces të jetë transparent, i ndershëm dhe të mos mund të kapet nga Edi Rama dhe banda e tij, e cila pareshtur bën çdo përpjekje për ta kapur, por ne jemi për një proces transparent, një proces i cili përjashton manipulimin dhe garanton numërimin korrekt të asaj vote. Ky proces zhvillohet në Shqipëri dhe jashtë saj. Duhet pranuar se të dy fazat, ajo që zhvillohet në Shqipëri dhe ajo jashtë saj janë të një rëndësie kryesore për këtë proces, natyrisht përcaktuese është puna jonë brenda vendit. Mos harroni se asgjë s’do ndikojë më fuqishëm në fitore, se sa vota e qindra mijëra opozitarëve që të persekutuar në formë ose një tjetër nga ky regjim kanë marrë rrugët e dheut. Edi Rama dhe regjimi është i diskretituar tashmë.
Unë e di se ju keni filluar punën, por ritmet e kësaj pune duhet me urgjencë të shpejtohen. Një grafik i ri do hartohet nga drejtuesit e qarqeve dhe do u shpërndahet kryetarëve të degëve dhe ju grafikun tuaj. Dua një grafik emergjence sepse vota, votimi i emigracionit pra gjysmës së elektoralit përfundon me datën 12 Mars. Është vendosur një datë afat për regjistrimin e tyre dhe ata që regjistrohen apo ky proces përfundon më 12 Mars. Pas kësaj date, mbyllet procesi për 1 milionë e gjysmë votues. Ata 1 milion e gjysmë votues janë më së pari në listat e votimit. I keni në listat e votimit. I keni pastaj në çdo familje dhe kudo, por listat e votimit janë dokumentet bazë të orientimit tuaj. Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhet të ishin. Unë e di që është bërë punë dhe po bëhet, por kjo kërkon që çdo degë, çdo drejtues qarku të ngarkojë, të angazhojë forca shtesë për kompletimin sa më parë të këtij procesi. Çdo degë duhet të ketë drejtuesin operativ të këtij procesi që e kontrollon atë çdo ditë. Ju si kryetarë keni këtë detyrë më kryesore”, tha Berisha.
Më 11 janar, platforma online “PER” do të hapet për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 6 mars. Për t’u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t’u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t’u numëruar më 11 maj.