Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duket se nuk e ka me ngut ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës. Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bënë me dije se prokurorët e SPAK nuk do të dorëzojnë sot kërkesën në ambientet e GJKKO. Prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, mësohet se kërkëojnë kohë për shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e një vendimi për masën e sigurisë që do të kërkojnë për kryedemokratin. Edhe në Këshillin e Mandateve, Kraja tha se ende nuk e kishin vendosur nëse do të kërkonin masën e sigurisë “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi”.
Kështu që me shumë gjasë, nesër do të shohim lëvizjet e para në SPAK lidhur me dosjen e kryedemokratit Berisha. Ky i fundit, pas një takimi me deputetët në selinë blu është drejtuar për në banesë.
Çfarë ndodhi sot?
Sot, Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e Berishës dhe kërkesa u miratua me 75 vota pro. Në seancë ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Rama, ndërsa munguan deputetët e Bashës. Paralelisht me seancën, mbështetësit e Berishës u mblodhën në protestë para Kuvendit, të cilën e përshëndeti shkurtimisht edhe ish-kryeministri. SPAK kërkoi masë më të ashpër sigurie për Berishën, për shkak se ish-kryeministri nuk zbatoi masën e detyrimit të paraqitjes që ishte caktuar më parë nga Gjykata e Posaçme. Berisha dyshohet për akuzën e korrupsionit, që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i partisë.