Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sërish sot Lulzim Bashën se punon për mandatin e kryeministrit Edi Ramës dhe kërkon qeverisje me të. Nga dritarja e ballkonit të tij, Berisha tha se përfaqësia në Reformën Zgjedhore, është beteja vendimtare e opozitës. Ndërsa bëri edhe një thirrje publike për misionin e OSBE/ODIHR, duke pretenduar se bashkëpunimi mes tyre është ndihmë për monizmin.
Pas deklaratës së tij, një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike zyrtare. Në reagimin përmes sekretarit për marrëdhëniet me publikun Edvin Kulluri, PD zyrtare pretendon se pas çdo akuze të Sali Berishës ndaj tyre fshihet një pazar. Po ashtu, ndër të tjera, PD kërkon përgjigje publike nga Berisha nëse është dakord për përfshirjen e 4 pikave në reformë.
Konkretisht, PD pyet Berishën nëse pranon: hapjen e listave të deputetëve, zonat zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik dhe votën e diasporës.
DEKLARATA E SALI BERISHËS:
Edi Rama vazhdon përpjekjet e tij prej përbindëshi kundër demokracisë në agoni. Sot ai për reformën më të rëndësishme zgjedhor po shërbehet me veglën e tij, pengun e tij në mënyrë që të bëjë gjithçka për të rrëmbyer mandatin e zgjedhjeve të ardhshme. Për çdo shqiptar sot është e qartë se cili është pozicioni i pengBashës. Më i turpshmi në historinë 32 vjeçar të pluralizmit. Me 10 vota beson se mashtron shqiptarët se po punon për ata, në një kohë kur ai po punon vetëm për mandatin e Edi Ramës dhe qeverisjes me të. Në këto kushte, beteja jonë merr edhe një rëndësi më të madhe, më të jashtëzakonshme. Por unë sot jam këtu për tu bërë thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, të bashkohet me ju në këtë betejë, në këtë moment vendimtar për fatin e Shqipërisë. Nuk është betejë e lehtë, sepse frika që mbjellë diktatura e drogës dhe krimit është e pranishme kudo. Ju garantoj ju se zgjidhmi i luanit të fjetur nga ju, do të shkrijë me shpejtësi të madhe frikën dhe do të ngrejë në këmbë qytetarët. Kjo betejë është vendimtare për të shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa në të cilën e ka zhytur regjimi i Edi Ramës. Kjo betejë është vendimtare për të rikthyer dinjitetin e munguar qytetarëve shqiptarë. Është vendimtare për të rikthyer votën e lirë shqiptarëve.Komentoni shpesh dhe është normale, roli i faktorit të huaj. Fatin e Shqipërisë nuk mund ta zgjidhë kurrë kush tjetër, përveç shqiptarëve, përveç jush, ndaj dhe ta marrim atë në duart tona dhe do ta zgjidhim. Edi Rama për të bërë ndryshimet që do në Kodin Elektoral mori pengun e tij për ta servirur si opozitë. Pengu me porosi të Ramës, mashtroi shqiptarët kur u tha se, kanë ndërmjetësuar partnerët tanë. Partnerët njëri pas tjetrit e përgënjeshtruan Ramën dhe pengun e tij. I thanë se ne nuk mund të ndërmjetësojmë kurrë në akte false, pseudoreformë. Në këtë rast i bëj thirrje ODIHR, këtij institucioni serioz, në traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit të mbajë parasysh se Edi Rama dhe pengBasha janë një dhe vetëm një. Detyra e ODIHR dhe misioni i tij ka një kusht, bashkëpunimi me të dy palët. Pra në këtë kontekst çdo ndihmë për binomin Rama-Basha është ndihmë për monizmin është ndihmë për konsolidimin e pushtetit të krimit të Edi Ramës.
REAGIMI I SEKRETARIT PËR MARDHËNIET ME PUBLIKUN NË PD, EDVIN KULLURI
Siç u faktua këto dy vite, pas çdo akuze të Sali Berishës ndaj Partise Demokratike fshihet një pazar, herë tendera e leje ndërtimi e herë pazar politik për të bllokuar reformimin e sistemit politik. E verteta e madhe eshte se Shqipëria sot po vuan nga pakti Berisha-Rama i vitit 2008. Ai pakt e bëri kryeministrin fuqiplotë dhe u hoqi pushtetin qytetareve c’ka reflektohet nga ulja e pjesemarrjes ne zgjedhje nga viti ne vit. Sot Berisha dhe Rama duan ta ruajnë atë pakt, prandaj po bejne gjithçka kunder reformes zgjedhore. Tashme eshte e qarte se lufta dyvjeçare e Sali Berishës kishte si synim të vetëm për ta shndërruar PD-në në mburojë te interesave te tij dhe familjes, përballë izolimit ndërkombëtar, sanksionimit non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, përballë akuzave për korrupsion nga SPAK. Pasi deshtoi, ka nisur serish batarene e sulmeve nga ballkoni për të penguar reformen zgjedhore me ane te eunukeve te tij në parlament. Sali Berisha duhet të tregoje para shqiptareve te verteten nese eshte per: 1- Lista të hapura te deputeteve apo jo?; 2- Shqipëria një zonë zgjedhore apo jo?; 3- Votim dhe numerim elektronik apo jo?; 4- Voten e Diaspores apo jo? Pse nuk flet sot se çfare reforme zgjedhore kerkon por sulmon verbalisht dhe fizikisht kedo qe i tregon vendin se ku duhet te rrije, pikerisht ne arkivat e Partise Demokratike? Ai sot duhet t’u tregoje shqiptareve se çfare marrëveshje ka bere per here te dyte pas 16 vitesh me Edi Ramen? Per çfare sistemi i ka ofruar votat e deputeteve te tij “partizane te dalluar” ne parlament për ti siguruar Rames 84 vota, duke deshtuar Komisionin e Reformës Zgjedhore? Aleanca e kullave nuk e mban dot më peng as Shqipërinë e as PD-në përmes gjuhes arkaike të urrejtjes dhe shantazhit.
Disa ditë më parë, mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore dështoi, për shkak se deputetët e grupimit Berisha-Bardhi bllokuan sallën në Kryesinë e Kuvendit. Vendimi për bllokimin e kësaj mbledhje u mor nga grupi parlamentar që drejtohet nga Gazment Bardhi. Damian Gjiknuri dhe deputetët e tjerë socialistë pas debateve me Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin vendosën që të linin sallën e mbledhjeve. Vetë Enkelejd Alibeaj vendosi që të mos shkonte në sallë, për të shmangur përballjen me kolegët e tij opozitarë. Para mbledhjes, si bashkëkryetar, Enkelejd Alibeaj prezantoi dhe 4 propozimet e grupimit të Bashës për Zgjedhoren, që përfshinin listat e hapura, sistemin propocional kombëtar me një njësi, votimin e diasporës, dhe numërimin dhe votimin elektronik