Sekretari i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron është duke zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku premtoi se shteti që ai përfaqëson do të ndihmojë në shtimin e njohjeve për Kosovën. Në një konferencë të përbashkët me homologen Donika Gërvalla, Cameron tha se shteti i tij po investon 45 milionë paund këtë vit për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Mendoj se një nga gjërat që kam dëgjuar se është kaq e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën Britania po investon me 45 milionë paund këtë vit. Është diçka shumë e rëndësishme për interesin tonë kombëtar. Dhe unë mendoj se diskutimet që kemi pasur përshtaten në një model më të gjerë që është siç shohim sot në lajme.
Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është koha kur vende si Britania duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se duhet investuar në stabilitet dhe progres. “Kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë dhe kjo që po bëjmë në Kosovë do të vazhdojë”, tha Cameron.
Ish-kryeministri britanik përmendi edhe diskutimin e mbrëmshëm në një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Siç u diskutua mbrëmë në darkë, sfida kryesore është për ta ndërtuar një shtet që është i sigurtë për të gjithë, për të gjitha komunitetet. Pa dyshim do t’ju ndihmojmë juve edhe për njohjen nga të gjitha shtetet tjera”, tha kryediplomati britanik në fund të fjalës së tij para mediave në Prishtinë.