Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani i ka dhënë informacione Gazment Bardhit lidhur me dosjen ‘Mcgonigal’. Në një takim me gazetarët sot, Dumani tha se kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka kërkuar informacione lidhur me vijimshmërinë e hetimeve. Por paraprakisht ka firmosur një marrëveshje për të ruajtur sekretin hetimor. Ndërsa për gazetarët ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje veçse faktit që hetimet vazhdojnë.
“Nuk mund të japim informacion, vijojnë hetimet. Kemi pasur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike,”-tha ndër të tjera Dumani.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së u dënua me 4 vite lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Në publikimin e dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare.
Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI.