Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, u pyet sot nga gazetari i Zërit, Edon Kuqi se çfarë është për të Sali Berisha, nëse e njeh apo jo si kryetar partie. Bardhi nuk pranoi që të jepte një përgjigje për pyetjen, dhe tha se kishte folur më herët për këtë çështje.
Mirëpo kohët kanë ndryshuar, dhe në datën 2 Dhjetor Berisha u vetëbesua si kryetar i Partisë Demokratike në Kuvend, e megjithatë për Bardhin qëndrimi mbetet i njëjtë, ‘as mish, as pesh’.
Sa i takon mungesës në Kuvendin e 2 Dhjetorit, Bardhi u shpreh: “Një fazë e një procesi të nisur shumë kohë më përpara”. Pavarësisht se kanë dakordësuar aksionin në Kuvend me Berishën, Bardhi dhe deputetët që qëndrojnë pranë tij, duken të ndarë në lidhje me legjitimitetin e Berishës si kryetar partie.
Në Kuvendin e të shtunës, Berisha u rizgjodh në krye të PD-së me 938 vota pro, dhe 55 kundër.
Në Kuvendin e 2 Dhjetorit gjithashtu u votua edhe një ndryshim në nenin 63 të statutit, ku në raste të veçanta, me propozim të Kryesisë së Partisë ose të një të katërtës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ky i fundit mund të miratojë ndryshime statutore, të cilat hyjnë menjëherë në fuqi dhe janë ekzekutive.