Çfarë fitojnë shqiptarët nga projekti në Sazan? Rama iu përgjigjet akuzave për lobing: Shteti aksioner

Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka folur për projektin e ndërtimeve turistike në Sazan, dhe për marrëveshjen që pritet të lidhet me kompaninë e dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump.

Rama tha se qeverisë shqiptare i është paraqitur një projekt dhe ofertë fantastike, për të cilën do të marrë gjithë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar, dhe më pas për të marrë një vendim.

Rama refuzoi që t’i përgjigjej pyetjeve konkrete të gazetarëve, se çfarë fitojnë konkretisht shqiptarët nga ky projekt. Sipas Ramës projekti për Sazanin ka qenë përpara se ai të bëhej kryeministër, ndërsa refuzoi që të deklatonte nëse kishte diskutuar me Grenell për këtë investim.

Akuzave se një pronë e shqiptarëve po dhurohet, kryeministri Rama shtoi se të gjitha vendet kanë ligje favorizuese për zhvillimin e turizmit dhe nuk la pa përmendur dhe nismën e mëparshme të qeverisë Berisha, “Shqipëria 1 euro”, për të cilën tha se në parim nuk e kundërshton.

“Flasim për një aplikim që ne do ta shqyrtojmë sipas ligjit, dhe do të negociojmë për pjesëmarrjen e shtetit. Ideja e këtij projekti ka nisur përpara se unë të bëhesha kryeministër. A e dini si është puna, ju vini dhe bëni pyetje për ato që përflisni. Ne kemi në tavolinë një ofertë fantastike. Do ta shqyrtojmë si përfaqësues të denjë të shtetit shqiptar”, u shpreh Rama.

Lajme të tjera |  Mediat greke: Nga Shqipëria në Gaza - Megaprojektet e dhëndrit të Trump, Jared Kushner

Pse nuk shpallët tender ndërkombëtar por zgjodhët persona me lidhje politike?

Ne nuk zgjedhim persona por në bazë të legjislacionit shqiptar i referohemi ofertave dhe propozimeve. Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme. Për hir së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paardhasësit e mi. Nuk është bërë ende realitet.

A keni menduar si do të jetë kontrata me Kushner?

Latinët kanë një shprehje, padia nuk është argument. Sa i përket zhvillimeve të sipërmarrjeve të mëdha, të gjitha vendet kanë legjislacione favorizuese. Jo vetëm që kanë legjislacione favorizuese, por ka një garë të egër për tërheqjen e investitorëve të mëdhenj. Këtu nuk është asgjë për të falur, unë nuk kam qenë në fakt kundër dhe asaj Shqipërisë 1 euro. Ne sot jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në portin e Durrësit, ku shteti është aksioner, nuk është bërë asnjë falje, se porti ka qenë dhe mbetet i shqiptarëve.

Lajme të tjera |  Mbeti jetim/ Burri me tre gra, historia e familjes Zajmi në Mat: Djalin e shtëpisë e martuan që 14 vjeç se ishte më i zgjuari

Për portin e Porto Romanos thatë që do e bënit me PPP, tani do investoni 400 mln euro

Kjo është një tjetër idiotësi e cila vjen nga ajo çka latinët e shprehin me fjalinë “padija nuk është argument”. Investimi në portin e ri, do të thotë që kemi zgjedhur mes dy alternativave, dhe do të bëhet me fondet e shtetit, dhe më pas fitimet do t’i mbeten shqiptarëve.

Investim apo lobim?

Unë jam mësuar me akuza, unë do të dal konkretisht siç më thotë mua logjika, jo e atyre që përcjellin përmes teje pyetjet. Nuk ka asnjë histori lobingu në këtë mes, kemi përpara një projekt fantastik.

Sa do të fitojnë shqiptarët?

Ju e bëtë pyetjen tuaj, më lejoni që të jap përgjigjen, e gjitha ka të bëjë me edukatën, që duhet ti bashkojë të gjithë, pavarësisht qëndrimeve. Shqiptarët po fitojnë dhe do të fitojnë nga ky proces atë që nuk mund të mendohej disa vite më parë. Këto zhvillime rrisin ekonominë e Shqipërisë, pasi turizmi stimulon zinxhirin e prodhimit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us