Deri në nisje të Europianit që mbahet në qershorin e ardhshëm, Silvinjo padyshim që ka kohë për të përgatitur ekipin, i cili do të përfaqësojë kombin në një turne kaq të rëndësishëm.
Takimi i radhës për kuqezinjtë është në muajin mars, ku do të zhvillojë dy miqësore dhe flitet për rivalë si Peruja, Sllovakia apo Norvegjia. Por, ajo që mbetet një dhimbje koke për Silvinjon është se në listën përfundimtare për Europianin duhet të marrë me vete 23 futbollistë dhe pjesën tjetër duhet t’i lërë në listën e pritjes.
Nga grupi aktual, në çdo grumbullim trajneri fton 24-25 lojtarë, por kujtojmë që Broja dhe Kumbulla nuk kanë qenë këtë vit.
Kështu kjo do të jetë edhe një detyrë tjetër e vështirë për brazilianin, i cili duhet të lërë jashtë dikë, me listën që dorëzohet 7 ditë para ndeshjes së parë.