Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se kur PD të vijë në pushtet do të ndalojë me ligj veprimtarinë e fondacionit të George Sorosit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha tha se fondacionet e Sorosit do të ndalohen me ligj pasi përbejenë rrezik të vërtetë për Shqipërinë.
Demokrati foli për nevojën e “desorosizimit” të Shqipërisë, që sipas tij do të bëhet me ligj.
Berisha: Po ta përfytyrosh Shqipërinë nuk mund të mos përfytyrosh një gropë të tmerrshme, të brendshme në trupin e saj, 45 për qind. Ndaj dhe sigurisht ndryshimi i madh është një faktor shumë pozitiv, por ne na duhet një fitore e thellë dhe vendimtare.
Ne duhet të jemi në lartësinë e kërkesave të kohës.
Një ligj siç ishte ligji që u bë për dekomunistizimin do të bëhet dhe për desorosizimin. Do të ndalohet veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri si një rrezik i vërtetë kombëtar.
Me ligj do të ndalohet bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizata sorosiane.
Me ligj do të garantohet se kurrë qoftë edhe në referendum nuk do të mundet kush kurrë se do të luhet me familjen, me prindin, me gjininë përveç atyre që ka përcaktuar Zoti dhe natyra.
Ndaj dhe është e domosdoshme të shumëfishojmë energjitë, forcat për një bashkim të madh dhe të fuqishëm me të gjitha forcat politike që ndihen të përgjegjshme para qytetarëve shqiptarë.
Me të gjitha grupet, shtresat të bashkohemi rreth një programi të mrekullueshëm, rreth një programi që do të transformojë Shqipërinë. Unë i garantoj shqiptarët se ne kemi një program transformativ,
Ne kemi një program të transformimit të shpejtë.
Ne kemi një program në të cilin qytetari i të gjitha moshave dhe shtresave do të gjejë veten e tij, i përfillur dhe i mbështetur.