Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur në uzinën e Ferrokromit në Burrel, e cila administrohet nga kompania turke “Yildirim”. Drejtori i Uzinës Ervin Isaj është dënuar nga Gjykata e Matit, pasi ka ushtruar dhunë ndaj punonjësit Hamit Metra.
Metra e ka paditur drejtorin për dhunë, pasi e ka kapur për fyti, vetëm pse ka shkuar të pijë ujë. Hamit Metra ka thënë për mediat se për incidentin i është drejtuar Gjykatës së Matit më 2022 dhe gjykata ka vendosur në favor të tij, duke dënuar drejtorin nën akuzën “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. Metra shprehet se çështja po vijon në Apel, ndërsa shton se ndaj drejtorit nuk është marrë masë disiplinore nga ana e kompanisë.
Drejtori Ervin Isaj shantazhon edhe punonjësit e tjerë, të cilët kanë dalë dëshmitarë ndaj dhunës së ushtruar ndaj punonjësit Metra. Albert Patushi deklaron se nga drejtori Isaj po ushtrohet presion në forma të ndryshme ndaj 9 punonjësve, vetëm pse ata kanë dalë dëshmitarë në gjyq, ku kanë mbrojtur kolegun e tyre. Patushi kërkon që ndaj Isajt të merren masa nga kompania, si dhe të reagojnë sindikatat, ku janë pjesë punëtorët Uzinës së Ferrokromit në Komsi.
‘Quhem Albert Patushi. Punoj prej 4 vitesh në uzinën e ferrokromit në Burrel. Kam qenë dëshmitar okular i ngjarjes, ku administratori Ervin Isaj ka dhunuar punonjësin Hamit Metra, kam qenë në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën e Matit, ku administratori është shpallur fajtor. Ka 2 vite që ka përfunduar çështja dhe kemi trysni nga drejtuesi i institucionit, për shkak se kemi dalë dëshmitarë unë dhe 6 punonjës të tjerë, me vendim gjykate është i dënuar. Është vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, është raporti mjeko-ligjor, lëshuar nga Ali Spahiu, që vërteton se punonjësi i uzinës së ferrokromit është dhunuar nga administratori. Ka 2 vite që është dënuar. Jam i sigurt se kompania turke nuk ka dijeni për vendimin, Inspektorati i Punës nuk merr asnjë masë, nuk ka reaguar as sindikata, në një kohë që ne paguajmë kuota për sindikatat. Po shantazhohemi përditë për vendin e punës. Ne kërkojmë të drejtën sipas vendimit të gjykatës. Nëse drejtorit i takon që me këtë vendim gjykate të drejtojë institucionin, atëherë po ikim ne. Kjo, sepse ne jemi në konflikt interesi me të, nuk kemi asnjë siguri në punë aty, se ai zotëria më thotë mua shprehimisht që më ke dalë dëshmitar në seancë gjyqësore”, deklaroi punëtori Albert Petushi.



Punonjësit e uzinës janë shprehur se nuk do të ndalen së protestuari, deri të marrin të drejtën e tyre dhe drejtori të mbajë përgjegjësi, pasi po vepron në kundërshim me Kodin e Punës.