Të tjera detaje mësohen për gjyqin e Donald Trump, ku ai akuzohet për shpifje. E Jean Carroll mori qëndrimin e dëshmitares të mërkurën në mëngjes në gjyqin për shpifje kundër Donald Trump, duke qenë hera e parë që ajo u përball me ish-presidentin në një sallë gjyqi. Dëshmia e Carroll e zemëroi Trumpin aq shumë, sa ai pati shpërthime të shumta, duke bërë që gjykatësi të paralajmëronte se ai mund të dëbohej nga gjykata.
“Unë jam këtu sepse Donald Trump më sulmoi dhe kur shkrova për këtë, ai tha se nuk ka ndodhur kurrë”, dëshmoi Carroll. “Ai gënjeu, dhe kjo shkatërroi reputacionin tim“, tha autorja e një libri, që tregon se është abuzuar nga Trump. Kur Carroll foli herën e parë, Trump mund të shihej duke i pëshpëritur avokates së tij kryesore, Alina Habba. Ai u ul me shpatulla pak të përkulura, ndërsa Carroll dëshmoi.
Ndërsa Carroll foli, Trump u ankua me zë dhe dukej se dyfishoi mohimet, tha avokati i saj. “Zoti Trump ka qenë i ulur në tryezën e pasme dhe ka thënë me zë të lartë se gjithçka që flet zonja Karoll janë shpifje, se në gjyq po bëhet gjueti shtrigash”,tha avokati Shaun Crouley. “Ai foli me zë të lartë, aq sa ne mund ta dëgjonim”, tha Crowley.
Përpara se gjykata të rifillonte pas pushimit, gjyqtari Lewis Kaplan paralajmëroi: “Unë thjesht do t’i kërkoj zotit Trump që të ketë kujdes të veçantë për të mbajtur zërin e tij të ulët kur bisedon me avokatin, në mënyrë që juria të mos dëgjojë”.
Trump nuk ia vuri veshin udhëzimit të Kaplan dhe, para pushimit të drekës, Crowley bëri sërish komentet e tij. “I pandehuri ka bërë përsëri deklarata [që] ne mund t’i dëgjojmë në tryezën e avokatit”, tha Crowley. “Ai tha se seanca është një gjueti shtrigash, kjo që po bën Trump është përtej normales”.
Kaplan tha: “Zoti Trump ka të drejtë të jetë i pranishëm këtu. Ajo e drejtë mund të humbet, nëse ai është përçarës, gjë që më është raportuar mua, dhe nëse ai shpërfill urdhrat e gjykatës. ‘Zoti Trump, shpresoj se nuk duhet të konsideroj përjashtimin tuaj nga gjyqi. E kuptoj që ju ndoshta jeni shumë të etur që unë ta bëj këtë”, tha gjyqtari.
“Do ta doja, do më pëlqente”, tha Trump dhe bëri me shenjë. Ish-presidenti tha se gjyqtari është kundër tij. Pas komenteve fillestare të Carroll, një nga avokatet e saj, Roberta Kaplan, i bëri pyetje ish-kolumnistes të Elle rreth karrierës së saj. Carroll po padit Trump lidhur me mohimet e tij në qershor 2019 të pretendimit të saj për përdhunim. Procedurat e kësaj jave shënojnë gjyqin e dytë të Carroll për shpifje kundër Trump. Në maj, një juri e gjeti ish-presidentin amerikan përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje, duke i dhënë Carroll 5 milionë dollarë dëmshpërblim.
Carroll tha se Trump e përdhunoi atë pothuajse tre dekada më parë, në dhomën e zhveshjes së një dyqani në Manhatan. Ajo shkroi për këtë episod dramatik në një revistë. Caroll e akuzoi Donald Trumpin se për vite e ka kërcënuar që të mos flasë. Nëse në gjyqin e parë ajo mori 5 milionë dollarë dëmshpërblim, në të dytin, ajo kërkon 10 milionë dollarë dëmshpërblim