“Elbasani është gati për BATE-n”, drejtor Guranjaku zbulon “sekretet” e verdhebluve: I kemi marrë masat! Rival në Superiore? Egnatia më lart

Elbasani do të zhvillojë ndeshjen e parë europiane, atë në Conference League përballë BATE Borisov. Sfida e përcaktuar për t’u luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, të martën e orës 20:00, do t’i vendosë nënkampionët e Superiores përballë një takimi të rëndësishëm ku do të provohet të jepet gjithçka për një rezultat pozitiv, pasi ndeshja e kthimit do të luhet në Bjellorusi.

Në vigjilje të këtij takimi kulminant që përkon dhe me rikthimin e skuadrës pas 20 vitesh në skenën europiane, ka folur ekskluzivisht për “Newsport.al” drejtori sportiv i verdhebluve, Elton Guranjaku. Ai prek objektivin që ka skuadra në këtë rrugëtim të rëndësishëm, prapaskenat e asaj çfarë po ndodh brenda ekipit si dhe planet për sezonin e ardhshëm në “Abissnet Superiore”.

Jemi pak ditë larg ndeshjes së parë të Elbasanit në Conference League përballë BATE Borisov. Si është gjendja momentale e skuadrës pas fazës përgatitore?

Skuadra ka mbyllur këtë mini fazë përgatitore dhe është gati për sfidën ndaj BATE, stafi ka punuar mirë edhe pse me vështirësinë e ndryshimeve të shumta në skuadër dhe mendoj që do të jemi gati të martën në mbrëmje.

Cilat janë pritshmëritë dhe si është fokusuar puna e trajnerit për të nxjerrë një rezultat që do t’i shkonte përshtat ekipit?

Pritshmëritë janë të larta pasi vetë rikthimi në Europë pas 20 vitesh për qytetin tonë është një emocion i veçantë, fokusi i trajnerit këto kohë ka qenë jo thjesht te rikthimi i lojtarëve në gjendjen më të mirë fizike, por edhe harmonizimi grupit që mendoj se është pjesa më e vështirë në kaq pak kohë që kishim patur në dispozicion.

Lajme të tjera |  E BUJSHME/ Ndryshon krejt papritur e ardhmja e Ylber Ramadanit, mesfushori “braktis” Serie A dhe kalon në Turqi

BATE Borisov po reflekton një moment negativ. Së fundmi shkuan në 12 ndeshje pa fitore. A do të përfitojë Elbasani nga ky shans i artë?

Ne do të mundohemi të japim maksimumin tonë. Elbasani nuk ka eksperiencë në këto nivele, jemi rikthyer në Superligë vetëm dy vite më parë dhe nuk besoj se është një shans i artë me një emër si BATE Borisov, pavarësisht momentit jo të mirë të saj.

A është studiuar ekipi bjellorus nga stafi dhe lojtarët, ekziston ndonjë plan?

BATE është duke luajtur në kampionat javën e 14-të të saj dhe fatmirësisht kemi parë ndeshjet e fundit të luajtur prej tyre, avantazhin më të madh e kanë se kanë ritëm dhe intensitet të lartë pasi janë në kulmin e kampionatit të tyre. Fizikisht janë skuadër që vrapon shumë, po ashtu dinë si t’i luajnë këto ndeshje, por ne kemi marrë masat tona që shpresoj të jenë rezultative në fund.

Fokusohemi pak tek lëvizjet. Spikasin afrime kryesisht në repartin e sulmit, por edhe largimet masive kanë ngritur shqetësimin e tifozëve. Çfarë po ndodh momentalisht në kampin tuaj dhe a do të vijojë Elbasani me “goditjet” në merkato?

Suksesi jonë në këtë sezon ishte që kishim të njëjtin grup prej dy vitesh. Ndryshimet e shumta nuk i bëjnë mirë skuadrës, por klubi ka një buxhet të limituar dhe s’mund të dalë jashtë saj, me lojtarë që kërkojnë 3/4 herë më shumë se çfarë merrnin është e vështirë të negociosh. Por mos të harrojmë se kanë mbërritur lojtarët që personalisht mendoj janë cilësor. I vetmi problem është koha e shkurtër që kishim për të përgatitur ndeshjen.

Lajme të tjera |  Rikthim “BIG” te Egnatia! Nevil Dede në “qiellin e shtatë” para ndeshjes në Champions League

Sezoni i ri në Superiore me një format të ri. Si e keni lexuar këtë ndryshim në kampionat dhe a do tentojë Elbasani të bëjë më mirë se sezoni që sapo lamë pas?

Format ndryshe, por që në fund çdo ndeshje luhet për 3 pikë. Jam kurioz të shikoj si do shkojë ky formati i ri, por që është njësoj për të gjithë dhe nuk ka ndryshim. Të bësh më mirë se sezoni I kaluar është të dalësh kampion, pasi e humbëm atë vetëm nga golavarazhi më të dobët, por gjithsesi do mundohemi si follim të ndërtojmë edhe njëherë skuadrën që nuk është e lehtë. Më pas të shikojmë si do shkojnë gjërat.

E fundit, kë konsideron Elbasani rival në sezonin e ardhshëm?

Rivalët e Elbasanit janë të gjithë. Shikoj shumë skuadra që po investojnë dhe ky kampionat do të jetë akoma dhe më i vështirë se sezoni i kaluar, edhe pse mendoj që me investimet, Egnatia është një hap më përpara se skuadrat e tjera. /Ermal SPAHIU/

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us